Shqipëria vijon të mbetet një atraksion turistik për vizitorët e huaj nga vende të ndryshme të botës edhe përgjatë muajve të pranverës.
Këtë e dëshmojnë edhe shifrat zyrtare të Ministrisë së Turizmit, ku vetëm muajin e kaluar ishin 820 mijë vizitorë të huaj që shijuan Shqipërinë, nga 550 mijë që u regjistruan në muajin Mars të këtij viti.
Ndërsa referuar po shifrave zyrtare gjatë katër muajve të parë të 2025 janë regjistruar 2.45 milionë vizitorë që kanë hyrë në Shqipëri, kundrejt 2.33 milionë vizitorëve në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në muajin Prill, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës ku Evropa Jugore zë 74% të hyrjeve, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 13%.
Nga ana tjetër, flukset turistike në vendin tonë kanë shënuar kërkesë të lartë në strukturat akomoduese të vendit, ku vetëm gjatë muajit Mars netqëndrimet gjithsej u rritën me 30,8% nga Jugu në Veri sipas INSTAT.
Rritja më e madhe e vizitorëve jorezidentë u shënua në zonat jobregdetare me +20,6% dhe në hotelet e akomodimet e ngjashme me +27,6%.
Të ndarë sipas kombësive në Mars, shumica e të huajve të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri ishin 23% nga Italia, ndjekur nga Kosova me 15% dhe me 10% nga Gjermania.
Këto të dhëna reflektojnë rritjen e interesit nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës për të vizituar vendin tonë.
Klan News