Disa vatra zjarri vijojnë të jenë ende aktive në disa zona të vendit.

Zjarri i rënë në Priskë të Tiranës prej disa ditësh, pasditen e kësaj të mërkure zbriti në një sipërfaqe pyjore në fshatin Dias.

Siç shihet dhe nga pamjet, flakët dhe tymi mbuluan zonën dhe shiheshin edhe nga Tirana.

Dhjetëra forca zjarrfikëse dhe një helikopter i Ushtrisë po operojnë në këtë zonë për të lokalizuar flakët, por fatmirësisht deri më tani nuk paraqesin rrezik për banorët e këtij fshati.

Në Krujë situata është shqetësuese pranë lagjeve Abaze dhe Bojë. Dhjetëra forca zjarrfikëse dhe një helikopter po punojnë për lokalizimin e flakëve.

Vijojnë prej dy ditësh të jenë aktive flakët në brendësi të parkut kombëtar të Lurës, të cilat i janë afruar disa banesave.

Për shmangien e pasojave të mëdha, po punohet nga toka dhe ajri, me 220 forca operacionale dhe dy avionë Air Tractor, të cilët janë përqendruar te vatrat më aktive.

Situatë problematike vijon edhe në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit të vatrës. Aktualisht janë duke punuar për shuarjen e flakëve nga shërbimi zjarrfikës, vullnetarë të shërbimit pyjor dhe të policisë.

Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vatra është izoluar dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara, por mbahet nën monitorim nga strukturat operacionale.

Zjarri vijon edhe në Nëmërçkë dhe në malin Dhëmbel, në të cilat nuk ka rrezik për banesat.

Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orët e pasdites së të mërkurës, në territorin e vendit janë aktive 9 vatra zjarri, në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë.

Tv Klan

/tvklan.al