Vala e shpërthimeve të biperave-bomba në Liban dhe Siri pasditen e të martës, ku 9 persona u vranë dhe rreth 2800 të tjerë u plagosën, u organizua nga agjencia izraelite e zbulimit Mosad dhe ushtria e këtij vendi.

Agjencia e lajmeve “Reuters” njofton se biperat ishin të pajisur me materiale shpërthyes të vendosur nga Mosadi, që në fazën e prodhimit. Biperat janë prodhuar në një fabrikë në Budapest në pronësi të firmës BAC Consulting, por janë porosi të firmës tajvaneze Gold Apollo, e cila u ka vendosur edhe markën.

Në mediat ndërkombëtare thuhet se Mosad u kishte vendosur rreth 5 mijë Biperave një shirit të hollë me jo më shumë se 20 gramë eksploziv pranë baterive me litium, siç duket në këtë skemë.

Eksplozivi i përdorur është i kategorisë ushtarake, efektet e të cilit shumëfishohen edhe nga shpërthimi i baterive me litium që po ashtu shpërthejnë lehtësisht, sipas ekspertëve.

Izraelitet i shpërthyen ato para kohe, përpara se Hezbollahu të binte në gjurmë të tyre. Kompania tajvaneze mohoi kategorikisht përfshirjen në këtë ngjarje.

Biperat janë pajisje komunikimi jo shumë të përparuar, të përdorur gjerësisht në fund të viteve ’90 dhe për të dërguar mesazhe audio dhe me shkrim. Ata përdoren masivisht në Liban, pasi bateria u zgjat deri 85 orë me një karikim, ideale për një vend ku energjia elektrike mungon në një pjesë të mirë të ditës.

Tv Klan