Shkak, prishja e pazareve mes trafikantëve

Vrasja e Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt për konfliktet e drogës, nuk është e vetmja që ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për hashashin. Zona më problematike mbetet Dukagjini. Përgjatë 4 viteve të fundit kanë ndodhur më shumë se 9 vrasje për hashashin, duke filluar nga Tirana, Dukagjini, Tepelena, Vlora, Fushë Kruja dhe Këlcyra.

Viti 2016 ka qenë më problematiku sa i përket vrasjeve për kanabisin, me 4 të tilla. Në malet e Tiranës u vra Besnik Podja me një plumb në kokë. Fillimisht u klasifikua si vetëvrasje, por provat zbuluan se ishte ekzekutim, pasi në zonë u gjetën parcela me hashash.

Po gjatë 2016-së u vranë edhe Gjok Arra në Dukagjin, Elidjan Pashaj në Këlcyrë dhe Altin Llani në Tepelenë. Për shumicën e këtyre vrasjeve, zyrtarisht policia ka mohuar se ka qenë për shkak të drogës, por dëshmitë e banorëve dhe hetimet e mëvonshme kanë zbuluar lidhjet me kanabisin. Në vitin 2017-të kemi një tjetër vrasje për lëndën narkotike. Bëhet fjalë për Fatjon Sinain, i cili dyshohet se u ekzekutua pasi tregoi për parcelat me kanabis në Vlorë.

Një vit më vonë në Fushë Krujë u vra Kejsi Hysa, brenda një parcele hashashi. Hetimet zbuluan se një borxh i pashlyer për drogën, solli edhe këtë ngjarje. Pak ditë më parë u vranë edhe Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Dukagjin. Kultivimi dhe trafiku i paligjshëm i hashashit vijon të sjellë viktima për shkak të konflikteve që lindin mes trafikantëve.

Tv Klan