Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbërritur në Uashington për një takim vendimtar me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Gaza brenda kësaj jave.

Sipas raportimeve të La Repubblica, ndërkohë, raundi i parë i bisedimeve indirekte mes Izraelit dhe Hamasit në Doha përfundoi pa një marrëveshje konkrete. Një burim i afërt me negociatat ka ndarë një kopje të draftit të fundit të paraqitur Hamasit nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Autenticiteti i dokumentit është konfirmuar edhe nga burime të tjera.

Sipas dokumentit, armëpushimi do të zgjasë 60 ditë, gjatë të cilëve Hamasi do të lirojë 10 pengje izraelite të gjalla dhe do të dorëzojë trupat e 18 të tjerëve. Forcat izraelite do të tërhiqen në një zonë të sigurisë përgjatë kufirit me Gazën dhe Egjiptin, ndërsa ndihmat humanitare do të shpërndahen përmes agjencive të OKB-së dhe Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Një element kyç i marrëveshjes është garancia personale e presidentit Trump, i cili do të sigurojë që Izraeli të respektojë pushimin e operacioneve ushtarake gjatë gjithë periudhës së armëpushimit. Drafti nuk parashikon fundin përfundimtar të luftës, kusht i vendosur nga Hamasi, por negociatat për një marrëveshje të përhershme do të zhvillohen gjatë këtyre 60 ditëve.

Si pjesë e marrëveshjes, pritet edhe lirimi i të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, edhe pse numri i tyre ende nuk është caktuar.

Netanyahu deklaroi para nisjes për në SHBA: Jemi të vendosur të sjellim në shtëpi të gjithë pengjet, por edhe të sigurojmë që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.

/tvklan.al