Viti 2024 do të mbetet një vit rekord për lëvizjet turistike të shqiptarëve, sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) të analizuara në emisionin “Pro Business” në TV Klan. Statistikat zbulojnë një aktivitet jashtëzakonisht të lartë, me shqiptarët që kryen mbi 4.4 milionë udhëtime brenda dhe jashtë vendit, duke shënuar një kapitull të ri në historinë e turizmit tonë.
Fluksi i vizitorëve të huaj që vizitojnë vendin tonë mbetet i lartë, por një fenomen i dukshëm në 2024 ka qenë edhe rritja e konsiderueshme e udhëtimeve të shqiptarëve vetë, që dalin jashtë vendit për pushime. Vetëm në muajin maj të këtij viti, rreth 710 mijë shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë, duke regjistruar një rritje prej 7.2% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2023.
Megjithatë, lëvizjet e mëdha nuk janë vetëm drejt destinacioneve të huaja. Brenda vendit, aktiviteti turistik nga vetë shqiptarët ka qenë po aq impresiv. Sipas INSTAT, gjatë gjithë vitit 2024, numri i udhëtimeve për qëllime personale, turistike ose biznesi, të kryera nga individë banues në Shqipëri mbi 15 vjeç, arriti në mbi 4 milionë e 426 mijë. Nga këto, ajo që bie në sy është mbizotërimi i plotë i udhëtimeve për pushim: 97.9% e të gjitha udhëtimeve janë kryer për qëllime personale/turistike, ndërsa vetëm 2.1% kanë qenë për biznes.
Në planin vendor, vetëm për qëllime turistike brenda Shqipërisë janë regjistruar 3 milionë udhëtime gjatë 2024. Ndërkaq, udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë kanë shënuar një rritje të jashtëzakonshme prej 43.4% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, një tregues i fuqishëm i rifillimit të plotë pas periudhave të vështira.
Muajt e ngarkuar të vitit, kur u kryen numri më i lartë i udhëtimeve, ishin Qershori, Korriku, Gushti dhe Dhjetori, tradicionale për pushimet sezonale. Sektori i akomodimit, veçanërisht në hotele, përjetoi një ngritje prej 8.4% krahasuar me vitin 2023. Kohëzgjatja mesatare e një qëndrimi, qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë, ishte 4.2 netë, me vlerat më të larta në muajt e verës dhe në Dhjetor.
Kur flitet për destinacionet e preferuara brenda vendit, të dhënat e INSTAT dalin të qarta: Tirana mbetet kryeqyteti më tërheqës me 15.4% të të gjitha udhëtimeve, e ndjekur nga Vlora (12.3%), Korça (10.9%) dhe Durrësi (8.6%). Për udhëtimet jashtë, Italia (8.6%) dhe Greqia (7.4%) ruajnë pozicionin e tyre tradicional si destinacionet kryesore, ndërsa Gjermania (3.8%), Anglia dhe Franca (rreth 3.0% secila) gjithashtu tërheqin një pjesë të konsiderueshme të udhëtarëve shqiptarë./tvklan.al












Botërori 2026 
