24 shtator 2026- Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, deklaroi se autoritetet kanadeze po verifikojnë nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të kalojë sot përmes hapësirës ajrore të Kanadasë, raportojnë mediat lokale.

Duke folur për gazetarët të mërkurën pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Anand tha se kishte kërkuar nga departamenti i saj informacion lidhur me fluturimin e Netanyahut. Ajo sqaroi se nuk kishte pasur të dhëna për këtë fluturim përpara se të mbërrinte në OKB.

E pyetur nëse Kanadaja e konsideron Netanyahun kriminel lufte, ministrja nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ajo theksoi se qëndrimi i Otavës është respektimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe mbështetja e personave që vuajnë nga konfliktet, përfshirë popullsinë në Gaza, Palestinë dhe Bregun Perëndimor.

Deklaratat e Anand vijnë pas qëndrimit të shprehur më herët nga kryeministri kanadez Mark Carney se Netanyahu do të arrestohej nëse do të hynte në territorin kanadez.

Sipas rregullave kanadeze, një zyrtar i huaj që udhëton me avion shtetëror duhet të kërkojë autorizim diplomatik nga Otava të paktën tre ditë pune përpara hyrjes në hapësirën ajrore të Kanadasë.

Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Gjykata deklaroi se kishte baza të arsyeshme për të besuar se ata mbanin përgjegjësi penale për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, Netanyahu pritet të udhëtojë drejt Nju Jorkut, ku të enjten është planifikuar të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

/tvklan.al