17 nëntor 2026- Papa Leoni XIV ka deklaruar se nuk ka firmosur një letër dorëheqjeje paraprake nga papati, në rast se do të përballej me një gjendje të rëndë shëndetësore që do ta pengonte të ushtronte detyrën.

Gjatë një bisede me gazetarët në bordin e avionit që po e kthente në Romë nga Lima, në përfundim të vizitës së tij në Amerikën Latine, kreu i Kishës Katolike u pyet nëse kishte ndjekur shembullin e disa prej paraardhësve të tij, të cilët kishin përgatitur një letër të tillë.

Përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e prerë: “Jo”.

Përgjigjja shkaktoi të qeshura mes gazetarëve, ndërsa Papa u bashkua me ta dhe shtoi me humor: “Faleminderit, kalojmë te pyetja tjetër”.

Më pas, ai shpjegoi se për momentin nuk e sheh të nevojshme një vendim të tillë, pasi e drejta kanonike parashikon dispozita për situata të kësaj natyre.

“Për momentin nuk e shoh të nevojshme, falë Zotit. E drejta kanonike ka tashmë disa pika që mbulojnë këtë çështje. Jam në duart e Zotit dhe kam besim tek ai. Ndoshta do ta bëj në të ardhmen, por tani nuk e shoh të nevojshme”, u shpreh ai,

“Nuk jam 100% në formë”, Papa flet për operacionin dhe shëndetin

Gjatë intervistës, Papa foli edhe për gjendjen e tij shëndetësore, pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një tumori në mushkëri, rreth një muaj përpara udhëtimit në Amerikën Latine.

Ai përfundoi një udhëtim 12-ditor, gjatë të cilit përshkoi rreth 31 mijë kilometra dhe realizoi afro 15 fluturime, duke vizituar Uruguain, Argjentinën dhe Perunë.

I pyetur se si e kishte përballuar këtë itinerar të ngarkuar dhe nëse ishte surprizuar nga qëndrueshmëria e tij fizike, Papa u shpreh mirënjohës ndaj Zotit dhe mjekëve.

“Kam kaluar një operacion jo të vogël, por që në fillim e kisha në mendje se udhëtimi ishte planifikuar dhe dëshiroja ta realizoja. Me ndihmën e Zotit dhe të mjekëve, u pa se ishte e mundur. Duhet të them se nuk jam në 100% të formës, por ndihem mjaft mirë. Qëndrueshmëria është një nga dhuratat që më ka dhënë Zoti”, deklaroi ai.

Leoni XIV tregoi se tumori ishte zbuluar gjatë kontrolleve rutinë vjetore, pasi fillimisht ishte vënë re një hije në mushkëri. Pas ekzaminimeve të mëtejshme dhe biopsisë, mjekët konfirmuan se bëhej fjalë për një tumor.

“Tumori ishte plotësisht i kufizuar në pjesën e mushkërisë që u hoq. Nuk ka nevojë për trajtim tjetër. Për arsye sigurie do të kryej kontrolle çdo vit”, sqaroi Papa.

Ai shfrytëzoi rastin për të përcjellë edhe një mesazh për njerëzit që përballen me probleme shëndetësore, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve dhe parandalimit.

“Duhet të bëjmë kontrollet, parandalimi është shumë i rëndësishëm. Kur është e nevojshme të kryejmë një trajtim, nuk duhet të kemi frikë. Unë jam këtu si dëshmi e kësaj”, tha ai.

Mesazhi për Argjentinën: Duhet të kapërcejmë polarizimin dhe urrejtjen

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua edhe situatës politike dhe shoqërore në Argjentinë, si dhe takimit të tij me presidentin Javier Milei.

Papa theksoi se mesazhi që përcjell nuk është politik, por lidhet me respektimin e dinjitetit njerëzor dhe kujdesin ndaj shtresave më në nevojë.

“Mesazhi që përcjell nuk është politik. Unë flas për njerëzimin, për respektin ndaj qenies njerëzore dhe për nevojën që shoqëria të marrë më shumë në konsideratë ata që kanë më shumë nevojë”, u shpreh ai.

I pyetur për polarizimin e thellë në shoqërinë argjentinase, Leoni XIV kritikoi ndikimin e algoritmeve në përçarjen e njerëzve dhe bëri thirrje për më shumë dialog e pajtim.

“Të gjithë duhet të kuptojmë se si kemi lejuar të ndikohemi nga algoritmet, duke përfunduar në një polarizim që nuk është i rastësishëm, por që në shumë raste është nxitur qëllimisht”, deklaroi Papa.

Ai shtoi se njerëzit mund të kenë bindje dhe pikëpamje të ndryshme, pa e kthyer këtë në urrejtje.

“Mund të kemi ende mospajtime, por nuk është e nevojshme të urrehemi apo të përdorim një gjuhë kaq të dhunshme, sa të krijojmë pamundësi për të komunikuar dhe për t’u bashkuar edhe brenda familjeve tona”, tha ai.

Sa i përket krizës ekonomike në Argjentinë dhe dobësimit të klasës së mesme, Papa bëri thirrje për bashkëpunim mes qytetarëve dhe klasës politike, si dhe për një shpërndarje më të drejtë të pasurisë.

Papa për abuzimet në Kishë: Po studiojmë mundësinë e sanksioneve

Gjatë intervistës, Leoni XIV u ndal edhe te çështja e abuzimeve shpirtërore brenda Kishës Katolike, duke konfirmuar se Vatikani po e shqyrton këtë problem, por pa pasur ende një dokument të gatshëm për publikim.

“Abuzimi shpirtëror është një çështje shumë serioze në Kishë dhe po studiohet në Vatikan. Nuk ka një dokument të menjëhershëm. Një nga problemet është mundësia për t’i trajtuar këto çështje nga pikëpamja kanonike. Për të ushtruar drejtësinë duhet të kesh një kodifikim, një përcaktim juridik”, u shpreh ai.

Papa foli gjithashtu për mundësinë e lehtësimit të kufizimeve për kremtimin e meshës në ritin tradicional latin, por bëri të qartë se do të vazhdojë të zbatojë vendimin e paraardhësit të tij, Papa Françeskut.

Ai theksoi se për ata që kërkojnë të kremtojnë meshën sipas ritit të vjetër ekziston mundësia e marrjes së një dispence.

Ndërsa sa i përket emërimit të kardinalëve të rinj, Leoni XIV preferoi të mos komentonte, duke thënë se aktualisht Kolegji i Kardinalëve numëron rreth 116 anëtarë dhe se për momentin nuk ka nevojë për më shumë.

Në fund, Papa foli edhe për udhëtimet e ardhshme, duke konfirmuar se një prej destinacioneve të vitit 2027 do të jetë Koreja e Jugut, ku do të zhvillohet Dita Botërore e Rinisë.

/tvklan.al