Situata e sigurisë në Gjirin Persik po përshkallëzohet, ndërsa përplasjet mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po ndikojnë drejtpërdrejt në një nga nyjet më të rëndësishme të tregtisë botërore, Ngushticën e Hormuzit. Sulmet e ndërsjella, kërcënimet ndaj anijeve tregtare dhe rritja e kostove kanë sjellë një rënie drastike të trafikut detar.

Pamjet tregojnë një cisternë nafte të përfshirë nga flakët, ndërsa tymi i zi ngrihet mbi det. Sipas autoriteteve detare të Omanit, anija “Skylight” u sulmua pranë brigjeve të Musandamit, një zonë strategjike shumë pranë hyrjes së ngushticës.

Ky është vetëm një nga incidentet që dëshmon rrezikun në rritje për transportin detar në rajon.

“Situata aktuale e sigurisë në Gjirin Persik është shumë komplekse. Sulmet e SHBA-të dhe Izraelit ndaj Iranit po vazhdojnë pa ndërprerje. Ka pasur kundërpërgjigje nga Irani, si ndaj vendeve sulmuese, ashtu edhe ndaj vendeve të tjera në rajon, si dhe sulme ndaj anijeve. Për operatorët detarë dhe kapitenët, është shumë e vështirë të kuptojnë nëse mund të lëvizin dhe nëse është e arsyeshme të vazhdojnë aktivitetin”, tha Kevin Rowlands, redaktor i RUSI Journal.

Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe për ekonominë globale. Rreth 20 për qind e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë kalon përmes saj. Por aktualisht, trafiku është reduktuar me mbi 90 për qind, ndërsa shumë kompani po shmangin zonën për shkak të rrezikut të lartë.

“Shtetet e Bashkuara po ofrojnë sigurim ndaj rrezikut për çdo cisternë që operon në Gjirin Persik. Po ofrojmë mbrojtje. Shpresojmë të mos jetë e nevojshme, por nëse ndodh diçka, kostoja për kundërshtarët do të jetë e pallogaritshme”, shprehet Donald Trump, president i SHBA-ve.

Një nga opsionet që po shqyrtohet është shoqërimi i anijeve tregtare nga anije luftarake, një praktikë e përdorur edhe në konflikte të mëparshme.

“Kur njerëzit mendojnë për shoqërimin e anijeve, imagjinojnë kolona të gjata me cisterna dhe anije luftarake përpara dhe pas. Por sot situata është ndryshe. Më shumë se konvoje, do të kemi një sistem mbrojtjeje, me mbikëqyrje satelitore, avionë patrullimi dhe mjete të tjera”, tha Kevin Rowlands, redaktor i RUSI Journal.

Teknologjia moderne ka ndryshuar mënyrën e mbrojtjes së korridoreve detare. Nga dronët e zbulimit deri te sistemet e avancuara të radarit, çdo lëvizje në det monitorohet në kohë reale.

“Në të kaluarën kemi parë operacione të ngjashme, si gjatë luftës Iran-Irak apo kundër piraterisë në Somali. Edhe në Detin e Kuq, sulmet e Huthi-ve kanë treguar se edhe një forcë më e vogël mund të paralizojë trafikun detar për periudha të gjata”, shprehet Kevin Rowlands, redaktor i RUSI Journal.

Megjithatë, Ngushtica e Hormuzit paraqet sfida unike. Është një korridor i ngushtë, pa alternativa kalimi, dhe çdo anije që kalon aty është e ekspozuar.

“Ngushtica është rreth 20 milje e gjerë në pikën më të ngushtë dhe nuk ka rrugë alternative. Nga njëra anë është Irani, nga ana tjetër Omani dhe Emiratet e Bashkuara. Çdo anije duhet të kalojë aty për të arritur destinacionin”.

Irani ka ndërtuar një strategji mbrojtjeje që synon pikërisht bllokimin e këtij korridori.

“Irani nuk ka një flotë të fuqishme, por është fokusuar në taktika të mohimit të aksesit. Kjo përfshin raketa bregdetare, mina detare, dronë dhe taktika me anije të vogla që veprojnë në grup për të mbingarkuar mbrojtjen e kundërshtarit”.

Ndërkohë, vendet europiane dhe ato të rajonit po diskutojnë për një përgjigje të përbashkët.

“Europa ka interesa ekonomike në rajon dhe kapacitete për të kontribuar. Por pyetja është nëse duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt apo të mbështesë vendet e rajonit, si Arabia Saudite, Emiratet apo Katari, të cilat kanë gjithashtu kapacitete të konsiderueshme”.

Kriza ka filluar të ndikojë edhe në tregjet globale. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, ndërsa rreziku për një krizë energjetike globale po shtohet.

Një faktor kyç është sigurimi i anijeve.

“Nëse rreziku është shumë i lartë dhe primet e sigurimit rriten ndjeshëm, atëherë kompanitë nuk do të operojnë më. Është thelbësore që shtetet, kompanitë dhe siguruesit të bashkëpunojnë për të mbajtur tregtinë funksionale”.

Ndërsa tensionet vazhdojnë dhe rrugët alternative mbeten të kufizuara, e ardhmja e transportit të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet e pasigurt.

Klan News

/tvklan.al