Shumë pak gjasa që pasaardhësi i Papa Françeskut të jetë nga Amerika

Kur Kardinali Jorge Bergoglio u zgjodh në vitin 2013 si Kreu i Kishës Katolike, ai ishte pothuajse një i huaj për Vatikanin. Ai nuk kishte qenë kurrë zyrtar i Vatikanit dhe vinte nga Argjentina, papa i parë nga Amerika Latine.

Teksa kardinalët pritet të diskutojnë se kush duhet ta pasojë Papa Françeskun, gjasat janë të pakta që ata të jenë nga SHBA. I këtij mendimi është Prifti Bryan Massingale, një profesor në Universitetin Jezuit Fordham në Nju Jork.

“Kandidatët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hyjnë në konklavë me disa pengesa. Për shkak se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një forcë kaq e madhe globale në botë, mendoj se shumë ngurrojnë t’i shtojnë fuqinë e papatit Uashingtonit. Ka pak gjasa që Papa i ardhshëm të vijë nga SHBA, por nuk mendoj se do të ishte e pamundur”, tha sinkron Bryan Massingale, prift.

Ndonëse prifti Bryan Massingale e sheh te vështirë që papa i ardhshëm të vije nga SHBA ai thotë se kardinalët amerikanë do të kenë ndikimin e tyre gjatë procesit të zgjedhjes së Papës së ri.

“Kur mendojmë për Shtet e Bashkuara të Amerikës, sigurisht që ka njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë me Papa Françeskun, si psh Kardinali Cupich i Çikagos, Kardinali Tobin i Newark, New Jersey, Kardinali McElroy, i cili është kryepeshkopi aktual i Uashington DC. Këta janë  persona që dihet se kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Papa Françeskut dhe jam i sigurt se do të kenë ndikimin e tyre në konklavë”, tha Massingale.

Sipas tij, kushdo që zgjidhet si Papa i ardhshëm, nuk ka mundësi të përqafojë një pikëpamje rrënjësisht të ndryshme nga Françesku.

“Një gjë që dimë në lidhje me konklavën është se 80% e  të zgjedhurve janë kardinalë që janë promovuar nga Papa Françesku. A do të thotë kjo se Papa i ardhshëm do të vazhdojë politikat e tij? Mendoj se është e drejtë të thuhet se kardinalët si grup janë  dakord me drejtimin e përgjithshëm që  ndoqi Papa Françesku. Prandaj them se nuk do të ketë një largim radikal nga drejtimi i Papa Françeskut”, tha Massingale.

Prifti amerikan vlerëson trashëgiminë që la pas Ati i Shenjtë.

“Kur mendoj për Papa Françeskun, mendoj për dikë që mishëronte cilësitë e përulësisë, një që donte vërtet të kishte një kishë të të varfërve dhe për të varfrit. Dhe kështu ai e mishëroi këtë në jetën e tij, në përulësinë e tij, në thjeshtësinë e tij të jetesës, por edhe për sa i përket gjithëpërfshirjes së tij, gatishmërisë së tij për t’i hapur dyert për të gjithë. Siç ai thoshte në gjuhën e tij “todos todos todos” “Të gjithë”, të gjithë janë të mirëpritur”, tha Massingale.

Papa Françesku, i cili vdiq më 21 Prill në moshën 88 vjeçare, e përqendroi pjesën më të madhe të papatit të tij në shtrirjen e aktiviteteve në vendet ku Kisha tradicionalisht nuk ishte e fortë.

Shumë nga 47 udhëtimet e tij jashtë vendit ishin në shtete me popullsi të vogël katolike, si Sudani i Jugut, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ai ishte veçanërisht i përkushtuar ndaj dialogut fetar.

Stili jashtëzakonisht i hapur i Papës së ndjerë tërhoqi kritika nga disa katolikë, por edhe interes global. Funerali i tij të shtunën  ishte një ngjarje botërorë ku përveç liderëve më të fuqishëm të botës pati edhe shumë besimtarë. Sipas mediave të huaja vlerësohet se  të pranishëm kanë qenë më shumë se 400,000 vetë.

Shtetet e Bashkuara kanë 17 kardinalë, 10 prej të cilëve kanë të drejtë vote në zgjedhjen e papës së ardhshëm, sipas Vatikanit. Vendi me më shumë kardinalë është Italia, e cila ka 51, përfshirë 17 me të drejtë vote për papën e ardhshëm, sipas Vatikanit.

Katër raunde votimi zhvillohen çdo ditë derisa një kandidat të marrë shumicën prej dy të tretave të votave. Kur grupi të ketë arritur në një vendim, del tymi i bardhë nga Kapela Sistine duke sinjalizuar që “Tashmë e kemi një Papë”.

Klan News