Sipas një studimi të kohëve të fundit nga shkencëtarët e Institutit të Teknologjisë në Massachusetts (MIT), është vënë re se përdorimi i inteligjencës artificiale (IA), dhe specifikisht i ChatGPT-së, po zëvendëson aftësinë kritike të të menduarit dhe po e bën më të vështirë për njerëzit të përvetësojnë njohuri.

Gjatë katër muajve, ekipi i MIT-it u kërkoi 54 të rriturve të shkruanin një seri prej tri eseve, duke përdorur ose ChatGPT-në, një motor kërkimi, ose trurin e tyre.

Me anë të këtij eksperimenti, ekipi mati angazhimin njohës. Për ata që kishin përdorur inteligjencën artificiale, angazhimi njohës ishte më i ulët sesa në dy grupet e tjera.

Madje, ky grup hasi vështirësi edhe në kuptimin e citateve që vetë kishin shkruar në ese dhe kishin një ndjenjë më të ulët pronësie mbi punën e tyre.

Për të dalë në përfundime më të sakta, grupet ndërruan rolet në esenë e fundit. Grupi që kaloi nga IA në ese të shkruar me tru performoi më dobët. Kjo, sipas studiuesve, tregon se përdorimi i zgjatur i inteligjencës artificiale ul aftësinë kritike.

Kur grupi që kishte përdorur më parë IA-në, më në fund shkroi me trurin e vet, nuk ishte në gjendje të performonte aq mirë sa grupi tjetër.

Nga ana tjetër, grupi që kaloi nga përdorimi i trurit te IA, e përdori ChatGPT-në në mënyrë më produktive dhe strategjike.

Meqë shkrimi pa ndihmën e IA-së kërkonte një angazhim më të madh, ky grup tregoi kujtesë më të mirë për atë që kishte shkruar më parë. Kësisoj, ata e përdorën IA-në vetëm për të kërkuar informacione të reja dhe për të përmirësuar tekstin ekzistues.

Sipas studiuesve, IA mund të jetë vërtet e dëmshme, pasi studentët, të paktën shumica prej tyre, rrezikojnë të shkojnë drejt dembelizmit.

Megjithatë, inteligjenca artificiale mund dhe duhet të na ndihmojë të kryejmë detyra që më parë ishin të pamundura dhe që ende kërkojnë përfshirje të thellë.

Nuk duhet harruar që brezat e tanishëm dhe të ardhshëm duhet të jenë në gjendje të mendojnë në mënyrë kritike dhe krijuese. Por inteligjenca artificiale po ndryshon vetë kuptimin e këtyre aftësive.

Shkrimi i eseve me stilolaps dhe letër nuk përbën më dëshmi të të menduarit kritik, ashtu siç as pjesëtimi i gjatë nuk është më dëshmi e aftësisë për të llogaritur./tvklan.al