Një grua rrëfeu tmerrin e sjelljes në jetë të djalit të saj, vetëm për ta parë që t’i vdiste në krahë, pasi aborti që iu tha se do të ishte 100 përqind efektiv, dështoi.

35-vjeçarja Sofia Khan nga Bolton, në Lancashire të Britanisë, vendosi që ta ndërpriste shtatzënisë pasi mësoi se djali, të cilin e quajti Mohammed, ishte i prekur nga një rast i rëndë i spina bifida dhe kishte pak gjasa që të mbijetonte.

Duke folur për Fabulous Digital, Sofia kujtoi se e kishte ndjerë të birin në bark disa orë pasi kishte marrë injeksionin vdekjeprurës, por një mami i kishte thënë se diçka e tillë ishte e pamundur.

Mendoj se lindja dhe vdekja e tij ishin edhe më shumë traumatizuese sepse nuk isha e përgatitur, askush nuk ishte. Askush nuk më dëgjoi kur u thashë se e kisha ndjerë në bark, askush nuk më besoi”.

“Ndaj shoku dhe humbja ishte edhe më e madhe dhe nuk besoj se do të largohet ndonjëherë. Mendoj për djalin tim të vogël çdo ditë. Shpresoj që në të ardhmen mamitë t’i dëgjojnë nënat, instikti i nënës është shumë i fortë”.

Sofia dhe bashkëshorti i saj Shakeel, të cilët kanë një djalë 19 muajsh, u gëzuan pa masë kur morën vesh që ajo ishte shtatzënë në 2017-n.

Por kur ishte 20 javëshe, ekoja zbuloi se bebja vuante nga spina bifida, një gjendje e cila bën që shtylla kurrizore dhe rruazat e shtyllës kurrizore të mos zhvillohen siç duhet në barkun e nënës, duke krijuar një boshllëk në shtyllë.

Fillimisht shpresë plotë se i biri do të mund të mbijetonte, analizat dhe ekot e mëvonshme zbuluan se spina bifida e tij ishte një rast shumë i rëndë dhe ai kishte pak gjasa që të mbijetonte gjatë shtatzënisë.

Të dëshpëruar, prindërit e rinj morën vendimin që t’i jepnin fund shtatzënisë. Kështu, kur ishte 25 javëshe shtatzënë, Sofia shkoi në spitalin St Mary’s të Manchesterit për të bërë abortin.

Abortet mbi 24 javëshe lejohen vetëm në raste të rralla, siç ishte dhe rasti i Sofias.

Gjatë kësaj procedure, që zakonisht zgjat 3 orë, në barkun e nënës bëhet më shiringë një injeksion. Zemra e bebes më pas ndalon dhe nëna nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të sjellë në jetë një fetus të vdekur.

Në rastin e Sofias, pas injeksionit stafi mjekësor kreu dy eko për t’u siguruar që ndërhyrja kishte qenë e suksesshme. Mjekët u bindën se zemra e bebes kishte pushuar.

E shoqëruar nga kunata dhe bashkëshorti, Sofia u transferua në një spital të zonës në Bolton për të lindur fetusin. Por teksa ndodhej në spital ajo ndjeu diçka në bark.

“Teksa prisja ndjeva beben që shkelmoi. I thashë mamisë, por ajo tha që ishte e pamundur”.

10 orë më vonë ajo lindi dhe shtangu kur dëgjoi beben të qante. Foshnja jetoi vetëm një orë dhe vdiq në krahët e nënës së tij./tvklan.al