Administrata e Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Evropës në strategjinë e re të sigurisë kombëtare, duke e cilësuar kontinentin si një “inkubator” të terrorizmit të nxitur nga emigracioni masiv.

Analiza e publikuar nga media britanike The Guardian, përqendrohet te kufijtë, ekstremizmi i brendshëm dhe lufta kundër karteleve të drogës, të cilat Uashingtoni i konsideron tashmë pjesë të kërcënimeve terroriste globale.

Sipas strategjisë, administrata Trump argumenton se grupet armiqësore po përfitojnë nga “kufijtë e hapur” dhe nga politikat globaliste të vendeve evropiane, sipas së cilës rritja e komuniteteve të huaja dhe vazhdimi i politikave aktuale në Evropë mund të çojnë në shtim të kërcënimeve terroriste.

 “Është e qartë se grupet armiqësore të organizuara mirë po shfrytëzojnë kufijtë e hapur dhe idealet globaliste. Sa më gjatë të vazhdojnë politikat aktuale evropiane, aq më shumë rritet rreziku i terrorizmit. Si vendlindja e kulturës dhe vlerave perëndimore, Evropa duhet të veprojë tani”, tha koordinatori i luftës kundër terrorizmit, Sebastian Gorka

Strategjia përfshin gjithashtu zotimin për të çrrënjosur “ekstremistët e dhunshëm të krahut të majtë”, përfshirë grupet që administrata i përshkruan si “radikalisht pro-transgjinore”.

Në të njëjtën kohë, kartelet e drogës vendosen në qendër të përpjekjeve amerikane kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar.

Megjithatë, artikulli thekson se vendet evropiane mbeten partnerët më të rëndësishëm dhe afatgjatë të SHBA-së në luftën kundër terrorizmit.

 “Bota është më e sigurt kur Evropa është e fortë. Por sot, Evropa përballet me kërcënime serioze dhe mbetet një objektiv i terrorizmit, si edhe një burim potencial i këtyre kërcënimeve”, tha Gorka.

Këto deklarata vijnë në një moment tensioni mes Uashingtonit dhe vendeve evropiane pasi aleatët nuk e mbështetën luftën e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit.

Klan News

/tvklan.al