“Që nga momenti i nisjes së punimeve në aeroportin e Vlorës, tashmë godinat që do përbëjnë kompleksin e projektit më të madh të aviacionit civil kanë marrë formë. Po flasim për kullën e kontrollit, godinën e zjarrfikësve dhe terminalin”, raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.

Kulla e kontrollit do të jetë vepra më e lartë në Aeroportin e Vlorës, rreth 35 metra. Kështu duket ajo sot në fazën e ndërtimit, por kështu do të duket me përfundimin e saj.

Brenda vitit do të kryhet edhe aplikimi për certifikimin e aeroportit, ku do të vlerësohet operimi i tij, kualifikimi i stafit dhe siguria në terren.

“Pritet që aeroporti të dorëzojë aplikimin zyrtar në Dhjetor të vitit 2024, bashkë me dokumentacionin përkatës për operimin dhe mirëmbajtjen e këtij aeroporti përfshirë planet e emergjencës. Do të vlerësohen postholderat kyç, menaxherët përgjegjës dhe kualifikimet e tyre. Në vijim do të kemi inspektimin në terren me qëllim garantimin e sigurisë”, tha Selma Pagria, Drejtoresha e Aerodromeve.

Në pistë dhe në çdo godinë tjetër, vazhdon mbushja dhe ngritja e kuotave me 2.6 metra mbi nivelin e tokës, një masë e marrë në konsideratë që aeroporti të operojë edhe në rast përmbytjesh.

“Janë marrë masa për sistemin e drenazhimin nëpërmjet kanaleve kulluese dhe stacioneve të pompimit për minimizimin sa më shumë të rrezikut nga përmbytja”, tha Selma Pagria, Drejtoresha e Aerodromeve.

“Në pistë është bërë 50% e punimeve, ajo do të jetë më e madhja në Shqipëri dhe do të mundësojë edhe fluturime transoqeanike”, raportoi gazetarja.

“Aeroporti ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë avionë me trup të gjerë, airbus 330-340, apo Boeing 777 që janë të përshtatshëm për t’u akomoduar në këtë aeroport. Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi si ajo 3.2 km e gjatë dhe do të garantojë kapacitet më të lartë të lëvizjes së avionëve”, tha Pagria.

Drejtoresha e Aerodromeve, Selma Pagria, bën një përmbledhje të punimeve dhe kur pritet të mbyllen ato.

“Vijon të punohet për rrugët lidhëse, jemi në 90% të punimeve për rrugët perimetrale, dhe 60% për rrugët e shërbimit. Vijohet me punimet në terminal. Ashtu siç është planifikuar, faza e parë pritet që gjithë objektet të jenë të përfunduara në Dhjetor të 2024″.

Që tani ka nisur puna për prokurimin e objekteve që do të plotësojnë funksionimin e plotë të aeroportit, i cili do të nisë fluturimet ne pranverë të vitit 2025.

Në fazën e parë, Aeroporti i Vlorës,  do të operojë me një kapacitet prej 2 mln pasagjerësh. Pas mbylljes së fazës së parë, aeroporti do t’i nënshtrohet edhe dy fazave të tjera që përfshijnë, infrastrukturën për godinën kargo, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, dhe ngritjen e akademisë së fluturimit.

Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 mln Euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.

Tv Klan