KQZ në Kosovë ka vendosur afatin 11-ditor, nga data 2 deri më 12 maj për regjistrimin e partive politike, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur si dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ndërsa kjo s’do të vlejë për partitë politike që ligji i konsideron të regjistruara automatikisht.
Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet që të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Fushata elektorale do të zgjasë 10-ditë dhe do të nisë më datë 28 maj. Më 16 maj do të bëhet hedhja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.
Më 21 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë listën e votuesve brenda dhe jashtë shtetit.
Votimi me anë të postës do të zgjasë nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërkohë një ditë para zgjedhjeve në Kosovë do të organizohet votimi nëpër përfaqësitë diplomatike.
Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare për herë të tretë në më pak se një vit e gjysmë.
Këto do të jenë zgjedhje të dytat të parakohshme radhazi, pas atyre në dhjetorin e 2025-tës, që u shkaktuan nga dështimi i legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e rregullta të shkurtit të atij viti, për konsolidimin e institucioneve.
Në këta muaj të parë të 2026-tës, subjektet politike në Kuvendin e Kosovës nuk arritën të zgjedhin presidentin e vendit brenda afatit kushtetues.
Për pasojë, legjislatura e dhjetë u shpërnda. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e shpalli 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
