09 shtator 2026- Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka përshëndetur rezultatin e arritur nga partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet shtetërore në Saksoninë-Anhalt, duke e lidhur suksesin e saj me pakënaqësinë ndaj politikave të emigracionit në Gjermani.
Në një reagim të publikuar të martën në platformën e tij Truth Social, Trump e cilësoi rezultatin e AfD-së si një zhvillim të rëndësishëm për partinë.
“Uau! Partia populiste në Gjermani sapo pati një natë vërtet të madhe”, shkroi ai, duke shtuar se gjermanët janë lodhur nga politikat dhe rregullat e emigracionit, të cilat, sipas tij, kanë dëmtuar vendin.
Trump theksoi gjithashtu se AfD është në rritje dhe përdori shprehjen “MGGA”, shkurtim i “Make Germany Great Again” – “Bëjeni Gjermaninë të Madhe Përsëri”.
Në zgjedhjet e së dielës në Saksoninë-Anhalt, AfD siguroi 43,8 për qind të votave, duke regjistruar rezultatin më të lartë të saj në një zgjedhje shtetërore në Gjermani. Në të njëjtën kohë, CDU e kancelarit Friedrich Merz mori 17,2 për qind.
Megjithatë, AfD mbetet një parti tejet e debatueshme në politikën gjermane. Agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë e ka klasifikuar degën rajonale të partisë si organizatë të provuar të ekstremit të djathtë.
Autoritetet gjermane kanë argumentuar se pjesë të AfD-së promovojnë një koncept etnik dhe racist të identitetit kombëtar, që bie ndesh me parimet e rendit kushtetues demokratik të vendit.
Ky vlerësim është përdorur edhe nga partitë kryesore gjermane për të justifikuar qëndrimin e tyre kundër bashkëpunimit apo formimit të qeverive me AfD-në.
/tvklan.al












Botërori 2026 
