“Dhuna brenda familjes mbetet një fenomen shqetësues në shoqërinë shqiptare. Afro 100 gra dhe vajza kanë humbur jetën në 10 vitet e fundit në Shqipëri”, thotë gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi.

Të dhënat e Policisë së Shtetit të siguruara nga Tv Klan tregojnë se numri më i madh i vrasjeve të grave nga partnerët e tyre i përket vitit 2019 me 12 të tilla.

Ndërsa në 5 vitet e fundit ka një ulje të numrit të viktimave të dhunës brenda familjes. Megjithatë, Shqipëria ndodhet e dyta në rajon për numrin e lartë të rasteve të dhunës brenda familjes.

“Për sociologët, rritja e dhunës duhet parë në dy këndvështrime: nëse është një fenomen ekzistues në shoqërinë shqiptare apo janë rritur realisht denoncimet për këtë fenomen”, tha gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi.

“Kulturalisht ne e kemi të pranuar dhunën, them kështu. Vijmë nga një shoqëri patriarkale, prapambetje apo norma të cilat vazhdojmë t’i gjejmë sot edhe në zona rurale dhe përgjithësisht ne jemi shoqëri me tolerancë ndaj dhunës. Ndërsa rritja e denoncimeve tregon se gratë po ndërgjegjësohen më shumë për të drejtat e tyre por edhe marrin më shumë kurajë të kërkojnë të drejtën. Një fakt i rëndësishëm është që edhe kur është marrë jeta e personit pas urdhrit të mbrojtjes, kjo ka bërë që të rritet ndërgjegjësimi dhe parandalimi në masë”.

Përveç humbjes së jetës, ngjarje të tilla kanë edhe një sërë kostosh të tjera, përfshirë edhe pasojat që shkaktojnë në shëndetin mendor të familjarëve dhe kryesisht tek fëmijët.

“Është një pabarazi strukturore e shfaqur në formën më të lartë të posedimit të tjetrit, që është marrja e jetës së tjetrit. Është shqetësuese për familjen ku ka ndodhur tragjedia, për mua dhe ty si anëtare të shoqërisë dhe për politikëbërësit. Ka një kosto jo vetëm sociale, por edhe ekonomike dhuna në familje, për shëndetin mendor të të gjithë anëtarëve të familjes, aq më shumë të fëmijëve”, tha sociologia Eris Dhamo.

Duke pasur parasysh sfidat aktuale të matjes, shifrat për dhunën nga partneri intim nuk përfshijnë ende abuzimin psikologjik, i cili është i përhapur dhe ka ndikime serioze në shëndetin e grave.

Të mbijetuarat përballen me rreziqe në rritje, duke përfshirë lëndime, depresion, ankth dhe çrregullim të stresit post-traumatik.

Tv Klan

/tvklan.al