Të paktën 490 mijë e 334 ushtarë rusë kanë humbur jetën që nga nisja e luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Kjo është shifra që del nga të dhënat e agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat, të analizuara nga BBC.

Sipas BBC-së, të dhënat e zbuluara tregojnë përmasat e mëdha të humbjeve njerëzore që Rusia ka pësuar gjatë luftës, e cila fillimisht ishte parashikuar nga presidenti Vladimir Putin të zgjaste vetëm disa ditë, por tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

BBC Russian ka siguruar më shumë se 11 milionë regjistrime vdekjesh, që mbulojnë periudhën nga viti 2021 deri në shtator 2026. Dokumentet u siguruan pas një sulmi kibernetik të kryer nga grupi bjellorus Cyber Partisans BY dhe grupi ukrainas Silent Crow.

Autoritetet ruse kanë pranuar se agjencia Rosstat është goditur nga një sulm kibernetik, por kanë mohuar se janë publikuar informacione të mbrojtura.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se vetëm Ministria e Mbrojtjes mund të japë shifra zyrtare për humbjet në luftë, duke kërkuar që të mos merren parasysh të dhënat e tjera. Megjithatë, ministria nuk ka publikuar prej disa vitesh shifra zyrtare për numrin e ushtarëve të vrarë.

Në bashkëpunim me median e pavarur ruse Mediazona, BBC ka krahasuar të dhënat e Rosstat me listën e saj të ushtarëve të vrarë, të identifikuar përmes burimeve publike. Nga ky krahasim rezulton se 90% e rasteve përputhen me regjistrimet e gjetura.

Por numri real mund të jetë edhe më i lartë. Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se lista e BBC-së, e cila përmban 290 mijë e 12 ushtarë të vrarë të identifikuar, përfaqëson vetëm 45-55% të humbjeve reale. Sipas këtyre përllogaritjeve, numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë të vrarë mund të jetë nga 527 mijë deri në 644 mijë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se lufta ka prekur rëndë grupmoshat e reja. Gjatë vitit 2025, rreth 65% e rusëve të moshës 18-24 vjeç që humbën jetën u vranë në luftë. Për grupmoshën 25-34 vjeç, kjo shifër ishte 59%.

Humbjet janë veçanërisht të mëdha edhe në disa rajone të varfra të Rusisë. Burrat nga Tyva, Buryatia dhe rajoni Zabaykalsky kanë 20 deri në 25 herë më shumë gjasa të humbin jetën në luftë sesa banorët e Moskës dhe Shën Petersburgut.

Një tjetër e dhënë tronditëse lidhet me luftimet për disa vendbanime të vogla në Ukrainë. Sipas analizës, rreth 20 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën në betejat për kontrollin e vetëm 10 fshatrave, të cilat para luftës kishin gjithsej 12 mijë banorë.

Vetëm në luftimet për fshatin Andriivka, pranë qytetit të Bakhmutit në rajonin e Donetskut, janë vrarë 1 mijë e 122 ushtarë rusë. Para luftës, në këtë fshat të vogël jetonin vetëm 74 persona.

Analiza tregon se mosha mesatare e ushtarëve rusë të vrarë ishte 34 vjeç në vitin e parë të luftës, ndërsa deri në vitin 2025 u rrit në 40 vjeç. BBC e lidh këtë ndryshim me përfshirjen gjithnjë e më të madhe të të burgosurve dhe personave të rekrutuar me kontratë në ushtrinë ruse.

Mes viktimave janë edhe mijëra shtetas të huaj që kanë luftuar në krah të Rusisë. Sipas të dhënave të analizuara nga BBC, të paktën 5 mijë e 17 të huaj kanë humbur jetën, mes tyre 1 mijë e 31 shtetas uzbekë dhe 720 taxhikë.

Ndërkohë, BBC ka identifikuar edhe 2 mijë e 304 ushtarë koreano-veriorë të vrarë gjatë luftimeve kundër forcave ukrainase në territorin rus, në vitin 2024. Ky numër është nxjerrë nga analiza e pamjeve satelitore dhe fotografive zyrtare të një memoriali të ndërtuar në Phenian.

Sa i përket humbjeve të Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi në korrik të vitit 2026 se numri i ushtarëve ukrainas të vrarë ishte rreth 50 mijë. Megjithatë, një listë e publikuar nga faqja UA Losses, e bazuar në burime të hapura, e vlerëson këtë numër në 115,952.

BBC thekson se të dhënat ruse mund të mos jenë të plota, por ato konfirmojnë se kostoja njerëzore e luftës për Moskën është shumë më e lartë nga sa është bërë publike deri më tani.

Për të kuptuar përmasat e këtyre humbjeve, BBC i krahason ato me luftën sovjetike në Afganistan, e cila zgjati dhjetë vite dhe përfundoi në vitin 1989. Gjatë atij konflikti humbën jetën rreth 15 mijë ushtarë sovjetikë, ndërsa numri i civilëve të vrarë vlerësohet në rreth një milion.

/tvklan.al