6 nëntor 2026 – Regjisori i njohur Agron Vula ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku foli për eksperiencën e tij shumëvjeçare në realizimin e spektakleve muzikore dhe rëndësinë që ka teknologjia në suksesin e një produksioni televiziv.

Vula ka qenë pjesë e produksioneve të rëndësishme muzikore në Shqipëri, përfshirë Festivalin e Këngës në RTSH dhe “Këngën Magjike”, ku ka kontribuar si regjisor në shtatë edicione. Gjatë bisedës, ai ndau edhe përshtypjet e tij për zhvillimin e realizimit televiziv të spektakleve muzikore, duke u ndalur veçanërisht te standardet teknologjike të përdorura në produksione të tilla.

Duke folur për “Këngën Magjike”, festivalin që prej vitesh transmetohet në Tv Klan, Vula vlerësoi punën e regjisorit Aldo dhe përdorimin e teknologjisë moderne, të ngjashme me atë që aplikohet në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision.

Ai tregoi se ka ndjekur vazhdimisht zhvillimet teknologjike dhe mënyrën se si realizohen spektaklet në skenën ndërkombëtare, ndaj ishte veçanërisht i kënaqur kur konstatoi këtë nivel realizimi edhe në produksionin shqiptar.

“Unë e kam ndjekur gjithmonë teknologjinë dhe mënyrën se si punojnë të tjerët. U gëzova shumë kur erdha te Arditi dhe u takova me Aldon, regjisorin. Që në realizimin e parë, kur e pashë, thashë se ishte identike me atë të Festivalit Evropian të Këngës, Eurovisionit. Më pas, kur bisedova, kujtova se e kisha ndjekur edhe më parë ‘Këngën Magjike’, në edicionet e tjera, por u gëzova jashtëzakonisht shumë që Aldo po përdorte teknologjinë që përdoret në Eurovision, në Festivalin Evropian të Këngës.”

/tvklan.al