Drejtuesi i SPAK Altin Dumani zhvilloi sot një takim me gazetarët për çështje të ndryshme, mes tyre edhe ajo e ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, Dumani ka deklaruar se “ka procedime në Prokurorinë e Posaçme për inceneratorët dhe deklaratat e Ahmetajt për Rai 3 po verifikohen”.

Më tej ai ka theksuar se ”janë në pritje të përgjigjies nga autoritetet zvicerane për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit.”


Kujtojmë se Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej thuajse një viti, sa i takon aferës së inceneratorëve. Më 24 Korrik të vitit të shkuar, Prokuroria e Posaçme iu drejtua me një kërkesë Interpol Tiranës, për të vijuar me procedurat ndërkombëtare. Asokohe Ahmetaj ishte pranë familjes në Londër, ndërsa tanimë ai ndodhet në Zvicër.

Ndaj Ahmetajt rëndojnë tre akuza, “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e pasurisë”. SPAK e akuzon se ka marrë përfitime të drejtpërdrejta e të tërthorta për koncesionet e 3 inceneratorëve, nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

/tvklan.al