Protestat kundër investimit të huaj në zonën e Zvërnecit, Vlorë, vijojnë prej pesë ditësh. Ato nisën më 30 maj me grumbullimin e banorëve pranë lagunës së Zvërnecit, ku është planifikuar zhvillimi i projektit. Më pas, protestat u zhvendosën në Tiranë, duke mbledhur qytetarë, aktivistë mjedisorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe figura publike.

Për të folur pak më gjerësisht lidhur me këtë çështje, këtë të enjte, më 4 qershor, në emisionin “Rudina” ishte i ftuar analisti Ergus Mërtiri, i cili u shpreh se kjo protestë është e suksesshme falë qëndresës së përditshme dhe vendosmërisë për ta zhvilluar atë më tej.

“Kërkohet nga një pjesë e mirë e protestuesve që të dyja palët, Berisha dhe Rama, të shkojnë në shtëpi, por objekti kryesor sigurisht është Zvërneci dhe Laguna e Nartës. Ekspertët thonë se ky projekt rrezikon në mënyrë të rëndësishme Lagunën e Nartës, rrezikon dunat e rërës, vërtet vlera të rralla natyrore, të cilat duhen mbrojtur. Nuk mundemi që për një investim, sado miliarda dollarë të jetë ai, i cili është i përkohshëm, të shkatërrojmë një pasuri natyrore, e cila e varfëron këtë vend në plan afatgjatë. Është e papranueshme që protestuesit të akuzohen se janë kundër zhvillimit; kundër zhvillimit janë ata që duan të shkatërrojnë mjedisin. Të shkatërrosh natyrën, të vetmen pasuri që ke, do të thotë të punosh në mënyrën më të pamend që mund të ekzistojë.”

Ndërkohë, sot ka nisur heqja e gardhit rrethues të vendosur në zonën e Zvërnecit nga kompania që do të kryente punimet, pasi më herët ishin larguar edhe rojet e vendosura në terren. Sipas Mërtirit, protesta ka dhënë efektin e saj.

“Kjo do të thotë se protesta ka bërë punë dhe ky është një mesazh për të gjithë njerëzit që reagimi shoqëror është i vetmi mjet me të cilin ne mund të ruajmë atë çfarë kemi; përndryshe, gjithçka mund të na e grabisin. Këtu vetëm këmbëngulja e reagimit qytetar mund ta detyrojë qeverinë, shtetin apo këdo tjetër të reagojë… Është qytetaria që detyron shtetin të sillet si shtet.”

Analisti u shpreh se protesta e qytetarëve nuk ka organizator dhe për të kjo është një gjë shumë pozitive.

“Organizator është indinjata qytetare që i ka sjellë njerëzit në shesh. Njerëzit janë aty jo për hir të njërit apo tjetrit, por për hir të mbrojtjes së pasurive të këtij vendi. Me çfarë kam parë këto ditë, ka entuziazëm, qëndrueshmëri, përgjegjshmëri qytetare në atë bulevard si kurrë ndonjëherë. Unë shoh se në atë bulevard është mbledhur ajka e qytetarisë së këtij vendi. Është thënë lart e poshtë që është një protestë që vjen erë parfum dhe jo për shkak të ndonjë zengjinllëku, por për shkak se është një shtresë e mesme që kupton vlerën e qytetarisë dhe vlerën e natyrës, dhe kupton që ky vend mund të bëhet i denjë për në Europë vetëm falë pengesave që duhet t’u vëmë atyre që e prishin dhe e shkatërrojnë këtë vend.”

Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar mbi kundërshtimin ndaj investimit të lidhur me Jared Kushner. Mërtiri mohoi faktin se protesta ka frymë anti-amerikane dhe se nuk është përgjegjësi e asnjë investitori për të mbrojtur natyrën shqiptare.

“Ky është një investim privat, i një njeriu privat, pavarësisht se çfarë marrëdhënie krushqie ka me presidentin amerikan. Kjo nuk është çështje absolutisht politike, pavarësisht se qeveria mund ta përdorë dhe është e kuptueshme.”

Ai theksoi se edhe opozita është bërë palë me qeverinë, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve të huaja.

“A thua se ne jemi kundër investimeve të huaja dhe kjo e ka bërë bashkë të gjithë sistemin kundër qytetarëve. Për herë të parë, qytetarët sot janë vetëm. Nuk ka pasur asnjë faktor të madh politik, se parti të vogla ka pasur, që të jetë në anë të qytetarëve. Megjithatë, unë këtë e shoh pozitive sepse forca qytetare është më e madhe se çdo faktor politik në Shqipëri.”

/tvklan.al