Një pilot humbi jetën pasi një avion i vogël u rrëzua pranë Space Coast Regional Airport, në Titusville të Floridës, thanë autoritetet lokale të hënën.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Titusville, dëshmitarët raportuan se avioni goditi një linjë elektrike përpara se të përplasej në një rrugë. Pas përplasjes, avioni u përfshi nga flakët, ndërsa rruga u mbyll në të dyja drejtimet.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), i cili po merr pjesë në hetim, identifikoi avionin si një Mooney M20F, një avion me një motor dhe katër vende. Në bord ndodhej vetëm piloti.

Pamjet video nga vendi i ngjarjes treguan momentet pas përplasjes, me flakë të mëdha në rrugë. Aksidenti ndodhi rreth orës 10:00 me orën lokale, në zonën e Titusville, në bregun lindor të Floridës.

Autoritetet thanë se, për shkak të natyrës së rëndë të aksidentit, identiteti i pilotit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Departamenti i Policisë së Titusville bëri të ditur gjithashtu se kompania Florida Pouer & Light ndërpreu përkohësisht energjinë elektrike në zonat pranë vendit të aksidentit, si masë paraprake. Rikthimi i energjisë pritet të zgjasë disa orë.

Në hetim po asiston edhe Federal Aviation Administration (FAA). Shkaqet e rrëzimit mbeten ende nën hetim. Aksidenti ndodhi më pak se 24 orë pas një tjetër incidenti të rëndë ajror në Florida, ku një avion transporti i Amazon, një Boeing 767-300, doli nga pista në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit. Në atë incident, pesë persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën rëndë.

/tvklan.al