Sot në studion e “Historia ime” në Tv Klan është sjellë historia e dhimbshme e familjes Malka. Kadri Malka humbi nipin 6 -vjeçar në një aksident rrugor më 25 Tetor 2017, në aksin rrugor Sharrë-Kombinat, rreth orës 17:00.

Sipas gjyshit të 6- vjeçarit, drejtuesi i mjetit që shkaktoi vdekjen e fëmijës është akoma i lirë. Dy akt ekpertizat e ngritura për çështjen nuk përputhen me njëra-tjetrën dhe Malka pretendon se provat janë manipuluar dhe po bëhet një padrejtësi me ta. Ai kërkon që të vendoset drejtësia për nipin e tij. Avokatja Bitilda Mehmeti, e ftuar në studio ka kërkuar rihapjen e çështjes.

Bitilda Mehmeti: Mendoj gjerësisht këtë opsion, si një dyshim i arsyeshëm nga ana ime sepse edhe vetë Kodi Rrugor e përcakton qartë se ka një limit për gjendjen e alkoolit në gjak. Kur bëhet matja e alkoolit në ajër, pra frymëmarrja në ajër, drejtuesi i automjetit ka dalë me një gjendje alkooli 0,43 herën e parë dhe pas 5 minutash 0.41 alkooli në gjak. Kjo konsiston se sipas nenit 137 i Kodit Rrugor, përcakton se nuk mund të bëhet një analizë toksologjike. Kjo bëhet kur është 0.5 alkooli në gjak, domethënë që është gjendje e dehur. Kjo është ajo që lë shumë vend për diskutim. Domethënë që jemi midis dy rasteve, që nga njëra anë niveli i alkoolit në gjak ka ndikim, por  nga ana tjetër analiza toksikologjike nuk bëhet dot, sepse është përcaktuar nga ligjvënësi”.

Më tej, ajo shton se një provë e re duhet të përfshihet në hetimin e çështjes për të çuar para drejtësisë shkaktarin e vërtetë të ngjarjes.

Ju insistoni që ka pasur një dëshmitare dhe unë nga këqyrja e akteve kam konstatuar që ka pasur një dëshmitare, një zonjë të nderuar dhe do kisha dashur që kjo dëshmitare të ishte pyetur mirë nga organet e hetimit, nga Prokuroria. Nëse me të vërtetë është goditur nga drejtuesi i automjetit tip furgon Benz, apo është goditur më përpara nga një mjet i paidentifikuar. Kjo në fakt do përbënte një provë themelore dhe përfundimtare për të përcaktuar edhe shkakun determinant të vdekjes dhe kush e ka shkaktuar me të vërtetë aksidentin. Të identifikohet ky automjet përbën një provë të re, për vazhdimin e hetimeve. Një hetim të plotë, të gjithanshëm, nga ana e prokurorisë dhe për të dërguar me të vërtetë në gjyq shkaktarin determinant të aksidentit. /tvklan.al