Policia ka goditur një grup shpërndarësish të lëndëve narkotike në kryeqytet. Në total janë lëshuar 34 urdhër-arreste, ndërsa janë ekzekutuar 27.

Aksioni i anti-drogës është shtrirë në disa zona të Tiranës, në lokale të ndryshme, banesa, madje një prej të kërkuarve është ndalur në palestër.

Në disa raste, droga shitej edhe pranë shkollave. Për të mos rënë në sytë e policisë, ata vepronin individualisht dhe të përhapur në të gjithë territorin e Tiranës.  Si shpërndarës, grupi zgjidhnin kryesisht të rinj duke filluar nga 19 vjeç.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, bëri të ditur detaje nga aksioni “blic 24”.

“U sekuestruan 3.4 kg kokainë, 150 doza heroinë, kanabis dhe 10 mjete”.

Sipas burimeve të policisë, si kreu i grupit konsiderohet Euxhenjo Manushi 21 vjeç me banim në Tiranë, djali i muzikantit të njohur, Ad Sybardhi.

Kjo është masë e dytë për të, pasi më 9 Dhjetor i riu u arrestua në një operacion anti-drogë të Policisë së Tiranës, në automjet me Klajdi Serjanin, të cilëve iu sekuestrua 1 kg e 50 gramë kokainë, vlera e së cilës nëse hidhej në treg arrinte në 270 mijë Euro.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë i nisi hetimet në fund të vitit 2024, ku me metoda speciale, u zbuluan mbi 40 anëtarë të këtij grupi, të goditur në disa faza hetimesh. Më herët i njëjti grup është goditur me 7 arrestime.

Klan News