E gjithë vija bregdetare nga Shkodra në Veri e deri në Vlorë në jug i është nënshtruar këtë fundjavë një aksioni të gjerë pastrimi.

Pjesë e tij u bënë dhjetëra vullnetarë, nxënës shkollash dhe punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

“Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër e ka nisur që të premten fushatën e pastrimit  në zonën Bunë – Velipojë. Fushata ka në qendër jo vetëm mbrojtjen e biodiversitetit, por edhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, raporton gazetarja Emi Kalaja.

Ndërsa në Lezhë, vija bregdetare nga Rana e Hedhun deri në Tale, ishte pjesë e aksionit të pastrimit që ka nisur.

Aksionit të zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Bregdetit, ju bashkuan vullnetarë dhe nxënës shkollash edhe në Durrës, përgjatë vijës bregdetare të Rrushkullit, Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit.

Edhe një pjesë e vijës bregdetare të Divjakës është pastruar ketë të shtunë, jo vetëm nga punonjësit e angazhuar, por edhe vullnetarë përgjatë plazhit, por edhe në brendësi të pyllit.

Ky aksion i cili nxit pastrimin e bregdetit, njëherësh nxit edhe ndërgjegjësimin ndër pushues që të jenë ato të parët që të kujdesen për mjedisin ku relaksohen dhe pushojnë.

Tv Klan