Policia e Shtetit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, do të nisin javën e ardhshme një aksion për lirimin e hapësirave në anë të rrugëve kombëtare, me qëllim krijimin e korridoreve të gjelbërta.
Ky aksion synon heqjen e çdo tabele reklame të paligjshme, depozitimin e materialeve apo ndërtimet pa leje që pengojnë fushëpamjen dhe rrezikojnë sigurinë e shoferëve. Pas pastrimit, në një fazë të dytë, në këto zona do të mbillen pemë dhe do të vendoset dekor urban, duke i dhënë një pamje të re akseve rrugore për sezonin turistik.
ARRSH prej pak javësh ka nisur punën për evidentimin e parregullsive në rrugë dhe njoftimin e bizneseve me problematika të ngjashme që t’i heqin. Në rast të kundërt, heqja e tyre do të bëhet me forcë. Prej të hënës, aksioni nis në akset Tiranë–Durrës dhe Durrës–Rrogozhinë, për lirimin e hapësirave. Pas tyre, aksioni do të shtrihet edhe në rrugë të tjera në të gjithë vendin.
Nga ana e autoriteteve pritet të aplikohen edhe masa ndëshkuese për qytetarët që kanë zënë hapësirat publike.
Këtë të premte, në Policinë e Shtetit, drejtori i përgjithshëm Skënder Hita priti në një takim organizativ kreun e ARRSH-së, Ami Kozeli. Ata dakordësuan detyrat e secilit institucion për vijimësinë e këtij aksioni. Në takim morën pjesë edhe grupet e përbashkëta të punës, me qëllim marrjen e masave të përbashkëta për koordinimin e punës së dy institucioneve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 