Një seri reklamash të xhinseve për gra dhe vajza me protagoniste aktoren e njohur amerikane Sydney Sweeney ka shkaktuar një vorbull të madhe polemikash dhe akuzash për racizëm, ndaj saj dhe markës që reklamon “American Eagle”.

Shkak është bërë njëra prej këtyre reklamave, ku 27-vjeçarja luan me kuptimet e fjalës “xhins” që në anglishten e folur tingëllon identike me fjalën “gjenë” dhe dallojnë vetëm nga mënyra e të shkruarit.

“Gjenet kalohen nga prindërit te pasardhësit, shpesh duke përcaktuar tipare si ngjyra e flokëve, personaliteti dhe madje edhe ngjyra e syve”, thuhet në mesazhin e reklamës, që vijon duke luajtur me ngjashmërinë në anglisht mes fjalëve xhins me gjenë, “Xhinset e mia janë blu. Sydney Sweeney ka xhinse të shkëlqyera”.

Pikërisht dy kuptimet e frazës së fundit kanë bërë që drejt reklamës dhe aktores të hidhen akuza për përcjellje mesazhesh naziste, që i bëjnë elozhe racës së bardhë dhe diskriminojnë tiparet e njerëzve me ngjyrë. Në postime të ndryshme del në pah edhe fakti që ajo është votuese e Donald Trump-it, duke i dhënë reklamës edhe ngjyrime politike.

Reklama, megjithatë, e ka bërë punën e saj: ka tërhequr vëmendjen drejt xhinseve të American Eagle, që në këtë moment janë ndër produktet më të diskutuara në rrjetet sociale.

Tv Klan

/tvklan.al