Helmimi i studentëve të akademisë së sigurisë ka ardhur nga konsumimi i makaronave të cilat rezultuan me esheria koli  (Escherichia coli ) dhe stafilokok. Ky është rezultati i analizave të dala nga mostrat e marra pranë kuzhinës së akademisë së sigurisë në sauk.

“Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se 8 mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk”, thuhet në njoftimin e AKU.

Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës si dhe ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL 

“Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës, AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftim.

Ndaj subjektit ëhstë vendosur një gjobë në vlerën e 1 mln e 500 mijë lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare, dhe po ashtu duhet të asgjesojë produktin e bllokuar.

Prania e E. coli dhe stafilokoku kuagulazë-pozitiv në ushqime, si makaronat, tregon një kontaminim të rëndë dhe është një rrezik i lartë për shëndetin.

Këto baktere zakonisht vijnë nga higjiena e dobët gjatë përgatitjes, ruajtja e gabuar në temperaturat e dhomës, ose përdorimi i ujit të kontaminuar.

56 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në repartin Infektiv të QSUT-së nga helmimi i ushqimit te kontaminuar. 

Pas hetimeve të kryera nga policia u arrestua një 52-vjecar me detyrë kuzhinier dhe një 23-vjeçare teknologe në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqimin.

Në kërkim u shpall administratorja e kompanisë ndërsa një tjetër teknologe do të hetohet në gjendje të lirë.

TV Klan

/tvklan.al