Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me akuzat e reja të PD-së, se drejtues të policisë janë të lidhur me mbjelljen e kanabisit në vend. Në një deklaratë për mediat, nga Policia e Shtetit theksohet se për çdo akuzë kjo parti politike duhet t’i drejtohet prokurorisë.

Deklarata e Policisë së Shtetit

Për të disatën herë, nga foltorja e subjektit politik Partia Demokratike opinioni ndjek të njëjtat sulme kundër Policisë dhe drejtuesve të saj.

Policia e Shtetit në respekt të këtij opinioni ka vetëm një përgjigje të shkurtër dhe të qartë: nuk ka asnjë tërheqje në këtë luftë kundër krimit dhe paligjshmërisë.

Edhe për PD-në përgjigja mbetet e njëjtë: për çdo akuzë dhe fakt të pretenduar, t’i drejtohet Prokurorisë.

Kjo është e vetmja rrugë për të ndërtuar shtetin e së drejtës, ku politika t’i përmbahet ligjit e institucionet të bëjnë detyrën pa presion politik. /tvklan.al