Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-presidentit Barack Obama.
Në një konferencë të përbashkët me presidentin filipinez, Trump tha se Obama është përpjekur të minonte fitoren e tij në vitin 2016 ndaj Hillary Clinton.

“Gjuetia e vërtetë e shtrigave që duhet të flisni është ajo ndaj ish-presidentit Obama, të cilin e kapën mat. Ajo që ndodhi në këtë vend që nga viti 2016 e deri në zgjedhjet e vitit 2020 ishte përpjekje për të manipuluar zgjedhjet. Është koha që të veprohet. Ajo që bënë në 2016 dhe në 2020 është krim në nivelin më të lartë.”

Pas sulmit dhe akuzave të Trump, ka ardhur një reagim i menjëhershëm nga zëdhënësi i ish-presidentit Obama. Ai i cilësoi akuzat e presidentit si qesharake dhe të çuditshme.

“Nga respekti për zyrën e presidencës, zyra jonë normalisht nuk i jep dinjitet pakuptimësisë dhe dezinformimit të vazhdueshëm që rrjedh nga kjo Shtëpi e Bardhë. Këto akuza të çuditshme janë qesharake dhe një përpjekje e dobët për shpërqendrim.”

Akuzat e Trump vijnë pasi javën e kaluar Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare deklasifikoi emailet midis ndihmësve të Obamës, me argumentin se ata kishin fshehur të dhënat që Rusia ka dështuar në përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhje.

Ky raport u mohua nga zëdhënësi i ish-presidentit Obama, duke theksuar se Rusia punoi për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale, por nuk manipuloi me sukses asnjë votë. Dy raportet e publikuara në 2017 dhe 2020 pohuan se Rusia është përpjekur të ndihmojë Trump në zgjedhje.

Klan News

/tvklan.al