Njoftimi për ngritjen e akuzave nga Gjykata Speciale kundër Presidentit Hashim Thaçi, pikërisht në momentin që ky i fundit po udhëtonte drejt SHBA-ve për takimin me liderët serbë në Shtëpinë e Bardhë, për gazetarin dhe analistin Baton Haxhiu është “konspiracion kundër Shtëpisë së Bardhë.”

Në emisionin “Opinion”, Haxhiu tha mbrëmjen e së mërkurës se Kosova do të gjendet në ditët më të errëta të saj pas kësaj që ka ndodhur.

Ai tha se nga përplasja mes Europës me Administratën Trump, e humbura e vetme do të dalë Kosova.

Baton Haxhiu: Asnjëri nuk është marrë me esencën. Shikojini të gjithë liderët se për çfarë flasin. Realisht, ata që bërë njoftimin publik, ia kanë arritur qëllimit, sepse të gjithë merren me fajësinë dhe pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe UÇK-së, ndërsa esenca është shpërqendrimi i vëmendjes ndaj asaj që do të duhej të ndodhte me datë 27. Shikojeni, kurrkush nuk e përmend datën dhe çfarë do të ndodhë në atë datë. Ky është konspiracion politik ekskluziv kundër Shtëpisë së Bardhë, kundër paqes…

Blendi Fevziu: Po kush e bën konspiracionin kundër Shtëpisë së Bardhë?

Baton Haxhiu: E para, shikojeni fjalinë e fundit. Prokurori i specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin dhe sabotimin. Shikoje fundin, kjo Gjykatë është vendore e Kosovës, e bërë nga parlamenti i Kosovës dhe thotë se ‘Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjakë kundër viktimave të tyre, sundimit të ligjit dhe popullit të Kosovës’. D.m.th. i shpall armiq të popullit të Kosovës. Një gjykatë vendore me seli atje, nuk guxon të bëjë një gabim të tillë…Ky është njoftim për shtyp, prandaj është konspiracion.

Blendi Fevziu: Shiko, nuk ka asnjë njeri që mos ta mendojë që ishte për të prishur takimit. Për këtë biem dakord. Se mund ta kishte nxjerrë një javë përpara, mund ta kishte nxjerrë 3 ditë prapa, pse u nxor në momentin që ata ishin duke udhëtuar drejt SHBA-ve.

Baton Haxhiu: Atëherë, për çfarë po flasim? Në momentin kur thuhet se kjo ishte bërë për të prishur takimin, bie.

Blendi Fevziu: E dimë se mes SHBA-ve dhe Europës pati përplasje për këtë çështje, SHBA vendosi të veprojë pa i pyetur.

Baton Haxhiu: Esenca është se Kosova do të gjendet në ditët më të errëta të saj pas kësaj që ka ndodhur. Edhe për një problem tjetër, sepse hyn përplasja evropiane me administratën Trump, s’po them me SHBA, deri në eshtra. Ma keq se kaq nuk mund të bëhet. Shikoje deklaratën e Grenell, që thotë se ‘zoti Hoti duhet të vijë. Duhet të vijë’. /tvklan.al