Al-Nassr i Cristiano Ronaldos po përballet me një krizë të rëndë financiare, ndërsa në prapaskenë po shqyrtohen disa skenarë për të shpëtuar klubin saudit nga vështirësitë ekonomike.
Sipas mediave arabe, borxhi i klubit ka arritur në 200 milionë euro, ndërsa një nga alternativat e mundshme është shitja e 70% të aksioneve te një kompani e lidhur me fondin amerikan RedBird Capital.
Vështirësitë financiare lidhen kryesisht me vendime të gabuara të menaxhimit gjatë sezonit të kaluar. Situata ka sjellë shqetësim te drejtuesit dhe ka nxitur shqyrtimin e mundësive për riorganizimin financiar të klubit.
Një nga skenarët që ka tërhequr vëmendjen është interesi i raportuar i RedBird Capital, fondi që kontrollon edhe klubin e Milanit.
Sipas raportimeve nga Shtetet e Bashkuara, përfaqësues të fondit janë takuar me Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF) për të diskutuar mundësinë e blerjes së 70% të aksioneve të Al-Nassr.
Marrëveshja e mundshme mund të arrijë vlerën e rreth 250 milionë eurove, shumë që do të mund të ndihmonte në mbulimin e borxheve të klubit.
Megjithatë, negociatat thuhet se janë ende në fazat fillestare dhe nuk ka një marrëveshje përfundimtare. Një tjetër alternativë lidhet me një biznesmen arab i cili mund të bashkohet me një grup investitorësh për të marrë pjesë në projektin e rimëkëmbjes së klubit.
Ndërkohë, vëmendje ka marrë edhe mundësia që Cristiano Ronaldo të përfshihet në pronësinë e Al-Nassr, duke blerë një pjesë të aksioneve.
Për momentin, kjo mbetet një nga alternativat e përfolura, pa konfirmim për një marrëveshje konkrete.
E ardhmja e Al-Nassr pritet të varet nga vendimet që do të merren për menaxhimin dhe financat e klubit.
Pavarësisht se cili skenar do të konkretizohet, sfida kryesore mbetet stabilizimi ekonomik dhe krijimi i kushteve për të ruajtur ambiciet sportive të klubit saudit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
