23 nëntor 2026 – Rreth 450 shkolla në Gjermani kanë marrë mëngjesin e sotëm mesazhe kërcënuese për vendosje bombash, duke shkaktuar alarm në disa rajone të vendit. Lajmi është raportuar nga gazeta gjermane “Bild”, sipas së cilës në e-mailin e dërguar në institucionet arsimore përfshihej mesazhi kërcënues: Vdekja të pret”
Numri i saktë i shkollave që kanë marrë këto mesazhe ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Kërcënimet janë raportuar në disa qytete të landit të Turingisë, mes tyre Jena, Erfurt, Nordhausen, Gotha dhe Rudolstadt.
Rastet nuk janë kufizuar vetëm në këtë rajon. Edhe shkolla në Saksoninë e Poshtme kanë raportuar kërcënime të ngjashme, konfirmoi policia e Hanoverit për agjencinë e lajmeve DPA.
Policia u ka kërkuar institucioneve arsimore që të raportojnë kërcënimet dhe të kontaktojnë autoritetet për çdo rast të dyshimtë. Ndërkohë, po vijojnë verifikimet për të përcaktuar burimin dhe seriozitetin e mesazheve.
Kërcënime të ngjashme me e-mail janë raportuar edhe në dhjetëra shkolla në Danimarkë, ku mesazhet përmbanin pretendime për vendosjen e mjeteve shpërthyese dhe përfundonin me shprehjen “Allahu Akbar”. Megjithatë, policia daneze i ka cilësuar këto kërcënime si të pabazuara dhe ka bërë të ditur se po heton rastet veçmas.
Sipas mediave lokale daneze, mesazhet dyshohet se janë pjesë e një skeme alarmesh të rreme të automatizuara, me origjinë nga jashtë vendit.












Botërori 2026 
