Albano Bogdo është një nga “bashkudhëtarët” e aktorëve të humorit që së bashku me kolegët e tij, do të jenë çdo të shtunë në ekranin e e Tv Klan me programin “Duplex”. Nëse në skenë ai shkakton të qeshura dhe batuat pa fund, në jetën e përditshme Albano është shumë serioz. Në një intervistë për tvklan.al, Albano ka rrëfyer për ardhjen në televizionin Klan, por edhe për jetën e tij private.

Si ndiheni në një televizioni të ri?

Mua më pëlqejnë sfidat e reja dhe tek Televizioni Klani ka pritshmëri shumë të larta, të cilat pritet ti thyejmë dhe do i thyejmë sepse ne kemi 9 vite që thyejmë pritshmëritë. Unë u “eksitova” shpirtërisht që do të luanim “futboll” në një stadium më të madh dhe tani po presim të shënojmë gola dhe të thyejmë rekorde. Ne tek Vizioni ishim si familje dhe kemi punuar 9 vite aty. Është si të ndërrosh shtëpi. Ne blemë një shtëpi të re dhe do pak kohë sa të fiksohesh se ku ke lënë lugët, gotat, karikusin e telefonit. Sa të mësosh me këto gjëra, pastaj gjithçka vjen natyrshëm.

Marrëdhënia juaj më aktorët e “Duplex” është po aq e fortë sa në skenë dhe jashtë saj? 

Ne jemi të gjithë të barabartë dhe jemi miq shumë të mirë në jetët tona. Dikush më shumë, dikush më pak, por ne jemi miq dhe jashtë saj. Ne marrim urdhra vetëm nga Turi.

Na trego disa detaje nga provat tuaja…

Ne jemi spektakël improvizimi. Po të rrish një ditë dhe të dëgjosh provat tona nuk kupton asnjë gjë. Përgatitja jonë është forcimi i kimisë me njëri tjetrin. Ulemi, flasim, diskutojmë, për tema sesi mund t’i trajtojmë dhe shtojmë. Provat tona janë shumë abstrakte, dhe realisht ne nuk kemi skenar, edhe pse aty brenda rrinë dy skenaristë, janë njerëz që sjellin tema. Njerëz që sot ka pasur një ngjarje, p.sh janë shembur pallate, ka ndodhur kjo gjë në parlamentet, ky futbollist ka bërë këtë gjë. Skenaristët tanë janë profesionistë, por  nuk shkruajnë skenar. Ne po na shkruajte skenar është si të futësh një luan në kafaz.

Si është jeta e Albanos, përtej “Duplex”, projekte të tjera që jeni të angazhuar ?

Pëveç  angazhimit në“Duplex”, ku unë jam çdo të shtunë në televizion, unë kam dhe një bandë muzikore, këndoj live lokaleve të Tiranës dhe bëj stand-up komedi.

Keni pasur disa probleme me shëndetin dhe marrëdhënie jo të mira me alkoolin. A keni hequr dorë nga ajo “jetë”?

Kam që në 2 Qershor të vitit 2014 që nuk pi më alkool sikur të përmbyset bota. Nuk më pihet më. Edhe kur bëra 30 vjetorin, të gjithë pinë u bënë tapë dhe unë piva vetëm sprite. As për vitin e ri, as për 1 Majin, për asnjë festë. Kjo tregon vendosmërinë dhe karakterin. Kam 4 vite që nuk jam tunduar asnjëherë. Kur ulem me njerëz që pinë alkool me shpifet.

A jeni natyrë e qeshur edhe në jetën e përditshme?

Unë nuk bëj humor jashtë skene. Shquhem si një njeriu serioz, nuk bëj shumë për të qeshur. Nuk jam njeri shumë social, rri me njerëz shumë të afërt, me vëllain apo me miq të tjerë. Unë dhe në skenë kur bëj për të qeshur jam shumë serioz në ato që them dhe prandaj qeshin njerëzit sepse janë të vërteta.

Ka ndikuar pamja jote e jashtme në skenë?

Do një bast që po të qethem tullac, apo çdo lloj modeli flokësh që të bëj njerëzit përsëri të qeshin. Jam qethur në skenë zero në shfaqjen e fundit të “Grand Hotel”. Suksesi im nuk qëndron tek leshi…Unë bëj çfarë më thonë dhe çfarë di të bëj.

Si është marrëdhënia juaj me Julin, pasi keni pasur disa mosmarrëveshje të vogla?

Ne jemi shumë shokë të ngushtë dhe Juli është një nga njerëzit që më ka ndihmuar më shumë për çfarë do lloj halli. I pari që vjen është Juli, Turi, ose Visjani. Nuk jemi njerëz që dalim vetëm në skenë. Qajmë hallet, ndajmë gëzime.

A do largohet Albano nga “Duplex” një ditë?

Unë kam kontratë vetëm me një njëri në botë, kam kontratë me Turjan Hyskën. Kur të më thotë Turjan Hyska unë do shkoj. Arsyeja nëse do largohem do jetë vetëm po më tha Turi.

Këtë mos e thuaj sepse dimë shumë raste aktorësh që kanë thënë nuk do largohem dhe janë larguar.

I di rastet. E di shumë mirë, ata janë njerëz bukëshkalë. Është puna e tyre, zgjedhja e tyre. Unë jam një njeri që kur them një gjë e bëj. Thonë që jam i talentuar, por mua s’më duket vetja i talentuar. Thonë që jam i suksesshëm, por s’më duket sikur jam i suksesshëm. Pavarësisht këtyre atributeve që thonë se i kam, unë karrierën time ja kam borxh Turjan Hyskës dhe Julian Dedës.

Kur kam shkuar unë tek Vizion Plus, tek Apartamenti, po të mos kisha mbështetjen e këtyre të dyve unë nuk do isha bërë askushi. Në “Apartamentin 2XL” ishte një treshe shumë e suksesshëm Juli- Genti- Ermali, s’kishin nevojë për askënd. Megjithatë, tek mua panë diçka dhe më ndihmuan si dhe më mbështetën, më bënë ky që jam sot. Jam tek Tv Klani, bashkëprotagonist me Jul Dedën që e kam pasur shembull kur kam qenë student, si dhe me gjithë kolegët e tjerë. Sot ne jemi në Televizioni më të madh në Shqipëri.

/tvklan.al