#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

Sot në “Aldo Morning Show”
-Lajmet më të fundit dhe ngjarjet e pazakonta në vend dhe botë.
-Temperaturat e ditës. -Quiz-i i mëngjesit. -Bota me Rrota dhe lajmet e datës 10 Tetor ndër vite.
-Tema e mëngjesit ” A mos ndoshta është pak bezdisëse dashuria e gjyshërve për fëmijët “?
Kjo temë solli në studio qytetarë të ndryshëm të cilët folën mbi temën dhe ndanë gjykimin e tyre.

#AldoMorningShow

#Aldolipe

#Albanacaushaj

#megilatifi

“Nuk ta prek më, mbaje se është i yti”, Rajmonda tregon ‘luftën’ me gjyshet e fëmijëve

Një telefonuese në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Rajmonda thotë se dashuria e gjyshërve ndaj nipërve ka edhe pasoja negative në rritjen e tyre. Llastimi që u bëjnë gjyshërit krahasuar me autoritetin e prindërve krijon luhatje. Jo vetëm kaq, por qëndron edhe problemi i përplasjes mes brezave, madje Rajmonda thotë se në familjen e saj ku shpesh ka diskutuar me gjyshet për këtë pjesë, ka marrë edhe përgjigjen “nuk ta prek më”.

Rajmonda: E vërteta është se çdo fëmijë që rritet me gjyshër, i plotësohet çdo kusht, çdo kërkesë bëhet në kohë rekord nga gjyshërit dhe ndikon edhe negativisht te fëmija gjatë rritjes, gjatë edukimit. Nëse prindi do perfekten, gjyshja e përkëdhel, është pak negative në rritjen e fëmijës, mendimi im.

Megi Latifi: E ke guximin t’ia thuash nënës ose vjehrrës që “mos ma përkëdhel fëmijën?”

Rajmonda: Po.

Megi Latifi: E ke guximin, e ke pasur?

Rajmonda: Normale, natyrisht që e kam pasur.

Aldo: Domethënë duhet të ketë një limit thua ti?

Rajmonda: Po, ka një limit, deir këtu është.

Aldo: Sigurisht që nuk e bëjnë nga e keqja, e bëjnë nga dashuria.

Rajmonda: Këtë desha të thosha që fëmija i fëmijës është mjalti i mjaltit dhe ne do t’i përmbushim të gjitha ato që kemi në familje, në rrethin familjar kudoqoftë. Por siç ka pozitive, ka edhe negative.

Megi Latifi: Ka krijuar ndonjë gjendje jo të mirë në familje kjo pjesa që nuk i lejonit të merreshin me fëmijët?

Rajmonda: Ka krijuar debate, hatërmbetje, edhe problematikën që” mbaje se është i yti, nuk ta prek fare, nuk ta përkëdhel më”. Në atë moment duket shumë negative.  Por kur bën një gjë fëmija, thonë” paske të drejtë”, që dhe gjyshërit në këtë pjesë e kuptojnë.

“S’më ngeli pikë gjaku”, Mialba nga Skrapari: Nipi më tha “kapa gjarprin”, kur shkova e pashë…

Mialba, një telefonuese e rregullt nga Skrapari në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ndan mendimin e saj për temën e dashurisë së gjyshërve ndaj nipërve. Ajo tregon disa episode me nipërit,  për të cilët thotë se pavarësisht dashurisë, fëmijët ndonjëherë krijojnë edhe shqetësime.

Mialba: Unë jam gjyshe nga vajza, vajza jeton jashtë në emigracion dhe i kam mbajtur fëmijët e vajzës, para disa vjetëve i kam mbajtur 3 muaj pushime këtu ku jetoj. Nuk na njihnin fare në fillim se lindën dhe u rritën atje, por u miqësuan aq shumë me neve sa kur erdhën i morën dhe shkuan në Greqi, ata nuk donin të rrinin atje, por donin të vinin këtu. 

Aldo:  I paske bërë keq.

Mialba: I mbajta shumë mirë. Doli vajza në telefon, tha “çfarë i ke bërë vajzës ti se vajza nuk më fle gjumë natën?”

Aldo: Çfarë i kishe bërë ti?

Mialba: I kisha dhënë një dashuri shumë të madhe.

Aldo: Dashuri dakord, po i  le  pa gjumë.

Mialba: Tani, kanë edhe anët e tyre negative Aldo.

Aldo: Kush, kalamajtë?

Mialba: Fëmijët. Nipi dhe mbesa kur loznin jashtë në oborr, një ditë nipi më bëri diçka. Unë isha brenda, ai thërriste sa kishte në kokë “o gjyshe, o gjyshe”. “Çfarë ke biri?” “Hajde”, tha “se kapa gjarprin”. U, s’më ngeli pikë gjaku. Ai kishte gjetur një zhapik dhe e ngacmonte me shkop. Sa s’më pushoi zemra, kur shkova e pashë ndiqte zhapikun me shkop. Thashë me vete o zot i madh!

Aldo: Mirë që s’tha dinozaur.

“Isha mollë sherri”, Mira kritikon veten si gjyshe: Më shumë i prishja mbesat

Mira, një telefonuese në “Aldo Morning Show” në Tv Klan tregon se është gjyshe, që sigurisht si shumë të tjera i ka përkëdhelur shumë nipërit e mbesat. Me shumë sinqeritet, Mira thotë se kjo jo pak herë ka shkaktuar probleme në familje dhe e quan veten “mollë sherri”. Madje bëhet aq kritikuese ndaj vetes sa mendon se ndonjëherë dashuria e tepërt do i dëmtonte fëmijët, në qoftë se Mira nuk do të kishte ndryshuar qasjen e saj.

Mira: Kam nipër e mbesa si gjithë të tjerët. Vetë nuk i kam rritur, të them se kam qenë në punë dhe në momentin që vija nga puna, atë që nusja e kishte ndërtuar gjithë ditën, e shkatërroja e bëhej një mollë sherri pastaj…

Aldo: Po pse motra? Pse kështu?

Mira: Po se ajo i kishte edukuar shumë mirë,  mua një veprim që bënte ai më dukej “eh moj se s’bëri gjë edhe ju, s’duroni fare”.

Aldo: E ça i bëje ti pastaj?

Mira: Domethënë është një dashuri… nuk po them se nuk i duam, ne i duam jashtë mase, ama ishim mollë sherri, ne ishim.

Aldo: Si u zgjidh pastaj?

Mira: U zgjidh pastaj se ndryshova unë një çikë formën e dashurisë.

Megi Latifi: Mua më pëlqen sinqeriteti yt.

Aldo: Kjo që po bën ti tani është një lloj autokritike.

Mira: Unë i kam mbesat të mëdha nga 20 e ca vjeçe tani xhanëm. Kur i merrte djali në Itali, thoshte “Mira, dua dy muaj t’i bie në terezi fëmijët, nuk e di se ça i bën”.

Aldo: Po ça i bëje ti?

Mira: Po ça s’i bëja. Edhe po ta thyenin, zihesha edhe me burrin tim. “Ti je shkatërrimi i shtëpisë, Mira”. E ja kështu. Domethënë ishte një dashuri, që ndoshta ne nuk e kuptojmë, por vetëm dashuri s’ishte.

Aldo: Nejse, mos e gjyko veten kaq ashpër se ti nuk e bëje nga e keqja.

Mira: Jo, por më shumë i prishja.

Aldo: Ata u rritën tani apo jo?

Mira: Ata janë nga 20 vjeç tani, mezi të marrin në telefon xhanëm./tvklan.al