#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan

Çfarë ndodh nëse një grua lind fëmijën në burg? Avokatja shpjegon

Emisioni “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka trajtuar këtë të martë një temë shumë interesante: A ka të drejtë një grua në burg të bëhet nënë? Për këtë çështje ka qenë e ftuar në studion lëvizëse, avokatja Drita Avdyli, e cila u shpreh se një grua, kur ka bërë një vepër penale, i hiqet e drejta për të votuar e për të qenë e lirë, por jo ajo e mëmësisë.


Aldo: Një grua në burg, ka të drejtë të bëhet nënë, pavarësisht dënimit?

Drita Avdyli: Shiko, meqenëse kjo femër vuan një dënim, që do të thotë ka bërë një vepër penale, asaj i është hequr e drejta vetëm për të votuar dhe për të qenë e lirë, kështu që të drejtat e tjera ekzistojnë. Kështu që ajo ka të drejtë të bëjë takime në dhoma personale me bashkëshortin, ose nëse është një e re, me bashkëjetuesin, e kështu me radhë.

Aldo: Edhe me bashkëjetuesin, edhe me të dashurin?

Drita Avdyli: Po. Pra janë në bashkëjetesë dhe nëse kanë bërë një kontratë noteriale që janë në këtë lidhje. Kështu që, sigurisht që mëmësia është një e drejtë dhe përveç kësaj, janë gjithë ato aktet nënligjore që rregullojnë me programe, sigurisht ndihmuese, nëse kjo mbetet shtatzënë gjatë kësaj periudhe të kryerjes së dënimit. Përveç programeve ndihmuese, ka dhe pjesën tek spitali i burgut për periudhën që do të lind, që do mbahet në kujdes, e kështu me radhë. Ka shumë raste, që nënat gjatë periudhës së burgut mund të ngelin shtatzënë, por edhe gjatë veprës penale ka qenë shtatzënë dhe procesi i lindjes ka ndodhur në momentet të kryerjes së veprës penale.

Aldo: Në një farë mënyre, ne e dënojmë një foshnje pa lindur akoma?

Drita Avdyli: Jo! Kjo nëna duhet të jetë e ndërgjegjshme që gjatë kësaj periudhe, të mos të bëhet nënë. Gjithsesi, këto janë gjëra që nuk komandohen ose që mund të komandohen, megjithatë ne nuk i heqim të drejtën juridike të mëmësisë, pra është një e drejtë tjetër, pavarësisht veprës penale. Pastaj, nëse kjo lind në këtë periudhë, atëherë në bazë të nenit 59 dhe 284, për ligjin e ndërmjetësimit, nëpërmjet shërbimit të provës, mund të bëhet me marrëveshje ndërmjetësimi që kjo të kthehet në regjim Shërbim Prove. Pra varet nga vepra penale që ka kryer.

Aldo: Çfarë është Shërbimi i Provës, se unë s’e kuptoj.

Drita Avdyli: Shërbimi i Provës, është një institucion shtetëror që merret me personat për kryerjen e dënimit, me shërbime alternative. Shërbimi i Provës është një institucion shumë i rëndësishëm që merret pikërisht me këto persona.

Karta sociale/ DW: Refugjatët s’do të marrin para në dorë, nuk mund t’ju çojnë lekë familjarëve

Gjermania po ashpërson politikën për sa i përket refugjatëve. Ata duan të fusin një kartë sociale, që këta të fundit të mos marrin më para në dorë. Sipas gazetares së Deutsche Welle, Lindita Arapai, e cila ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Aldo Morning Show”, në Tv Klan, kjo kartë lejon që paratë të qëndrojnë brenda Gjermanisë dhe mos të lëvizin nëpër Evropë.


Lindita Arapi: Për gjermanët, emigracioni është një nga temat kryesore këtë vit. Gjermania po e ashpërson politikën në të vërtetë, e kemi parë edhe muajt e fundit. Tani ka një debat, sepse Gjermania do të fusë një “social card”, që quhet karta sociale, pra, që refugjatët të mos marrin para në dorë më, por të marrin vetëm një “social card”.

Aldo: Me pikë ose me bonuse?

Lindita Arapi: Po. Ajo është një lloj… “social card” do të jetë e mbushur le të themi, do të ketë një shumë të caktuar dhe refugjatët do të bëjnë me të pagesat e përditshme: në ushqime, në artikuj të tjerë. Për shumën, se sa do të jetë karta, këtë e vendos secili land më vete. Gjermania e ka çështje landesh këtë çështjen e refugjatëve, edhe nuk do të kesh mundësi të tërheqësh para “cash” me këtë kartë. Bundestagu do të vendosë këtë javë që “social card” të futet dhe në ligjin për mbështetjen e azilkërkuesve dhe për këtë është rënë dakord më parë, por ka grindje brenda qeverisë sepse të Gjelbrit thonë: “Jo, nuk kemi për ta bërë ndryshimin në ligjin federal, mjaftojnë që landet ta zbatojnë atë për të cilën kemi rënë dakord”. Ndërkohë që ka kritika, sepse thonë të Gjelbrit po e minojnë këtë projekt. Në të vërtet është një temë shumë e debatuar sepse në Gjermani mendohet që ka një lloj debati që refugjatët vijnë në Gjermani për shkak të ndihmave sociale të larta që marrin.

Aldo: Pra, domethënë, ky refugjat me këtë “social card”, nuk mund t’i çojë para familjes së vet në Shqipëri, në Kosovë?

Lindita Arapi: Jo! Pikërisht për këtë bëhet edhe “social card”. Është një nga arsyet që politikanët e kanë përmendur. Në të vërtetë, se sa para marrin refugjatët, varet edhe nga statusi që ka refugjati.

Aldo: Paratë me këtë “social card” ngelen përsëri në Gjermani dhe nuk lëvizin nëpër Evropë?

Lindita Arapi: Ky është synimi, po! /tvklan.al