#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

“Asnjëherë s’më kanë mjaftuar”, Kadilli tregon rrogat e tij

I ftuar këtë mëngjes në “Aldo Morning Show” në Tv Klan për të thënë mendimin e tij se sa para do të mjaftonin për të qenë i lumtur, Fatbardh Kadilli foli me shifra konkrete. Si fillim, ai sqaroi se në Shqipëri është përllogaritur një mesatare shpenzimesh rreth 5 Dollarë në ditë për frymë për nevojat bazë.

Ai foli edhe për përjetimin e tij personal me paranë ku tregoi edhe pagat që ka marrë në disa pozicione pune si dhe hamendësimin e tij se sa do të ishte shuma për të bërë një jetë mesatare në Shqipëri.

Fatbardh Kadilli: Që herët unë kam jetuar me shumë pak dhe me shumë-shumë. I kam provuar të dyja, asnjëherë s’më kanë mjaftuar.

Aldo: Atëherë ta lëmë me 5?

Fatbardh Kadilli: Kam qenë rrogëtar në shtet, kur rroga ishte deri në ’98 mos gaboj, rroga ka qenë deri  në 100 Dollarë në muaj, rroga e një shefi zyre që isha unë. Kur kam qenë deputet, shkonte rroga 2 milionë e gjysmë bashkë me të ardhurat shtesë që kishim për transportin, për këto. Unë jetoja gjithmonë njëlloj atë argëtimin tim personal. Janë të pamjaftueshme gjithmonë paratë sepse njeriu gjithmonë do të shtojë konsum.

Aldo: Kur ankohet  dhe Trump tani, imagjino ne për atë punë.

Fatbardh Kadilli: Në Shqipëri, siç e mendoj unë, një njeriu në shtresën e mesme që më bën të besoj që i përkas, i duhen rreth 1000-1500 Euro në muaj.

Blogerja e thotë haptazi: Me 10 mijë Euro në muaj do e bëja gjumin rehat

Blogerja Estela Ujka i “vendos” një çmim lumturisë. E ftuar sot në “Aldo Morning Show” në Tv Klan për të shprehur mendimin se sa para do e bënin të lumtur, duke llogaritur nevojat personale dhe qëllimet e saj, ajo e ka një shifër në mendje. Përtej shpenzimeve, Estela shton se është e lumtur shpirtërisht sepse familja e saj është mirë dhe e shëndetshme, por për t’u ndjerë plotësisht e përmbushur, ka një shumë me të cilën “do e bënte gjumin rehat”.

Estela Ujka: Por nëse do isha 100% e përmbushur, që të mos e vrisja mendjen dhe të mos bëja asnjë llogari kur të shtrihesha për të fjetur gjumë, sot që flasim,me inflacionin, me 10 mijë Euro do e bëja gjumin rehat, pastaj… sigurisht që s’do isha aq e kënaqur.

Aldo: Je duke thënë në muaj?

Estela Ujka: Në muaj, po.

Aldo: Ki parasysh që me 10 mijë Euro në muaj, 23% do e kishe taksë. Mendoje edhe këtë.

Albana Çaushaj: I bie duheshin më shumë, duke hequr taksën dalin 10 mijë Euro.

Estela Ujka: E thashë si familje, ne kemi tre kalamaj Aldo. Na grinë kalamajtë.

Aldo: Prit, prit. “Sa më, aq më” thotë bullgari. Sa më shumë të rriten, aq më shumë…

Estela Ujka: Ndaj them, sa më shumë të kemi aq më shumë kërkojmë. Edhe kur t’i  kesh 10, do të thonë sa të bëjnë të lumtur, 20 e kështu me radhë./tvklan.al