Sela: Synojmë të kemi grup parlamentar

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës në Maqedoninë e Veriut i bashkohet Frontit Evropian.

Ky vendim erdhi pas mbledhjes së Kuvendit Qëndror të kësaj partie.

Pas mbledhjes, Sela tha se Kuvendi në mënyrë unanime ka pranuar ofertën e Liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Kuvendi Qendror i Aleancës për Shqiptarët i tha po ofertës për tu bërë pjesë e Frontit Evropian. Ne jemi të gatshëm ashtu siç në të kaluarën por edhe në të ardhmen të marrim përsipër obligimet, mos i ikim përgjegjësisë, dhe ASH të jetë faktor ashtu siç ka qenë në të kaluarën”.

Sela nuk dha shumë detaje për ofertën të cilën e ka marrë nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, por shtoi se ASH ka ditur të jetë transparente, e hapur dhe serioze para qytetarëve.

“Oferta është që minimumi ASH të ketë grup parlamentar si rezultat i zgjedhjeve të cilat do të ndodhin”.

Kreu i ASH-së deklaroi se nuk përjashtohet mundësia që koalicioni të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, por për këtë nuk është biseduar për momentin.

Tv Klan