27 shtator 2026- Ajo që kishte pohuar tashmë ka ndodhur zyrtarisht. Aleksandar Vuçiç ka njoftuar këtë të diel dorëheqjen nga posti i Presidentit të Serbisë.

“Ka ardhur koha e vendimit. Pas vitesh në krye të shtetit, kupton se udhëheqja nënkupton marrjen e vendimeve të mëdha. Mandati i presidentit të Republikës meritohet përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta. Jam mirënjohës ndaj qytetarëve që në dy raste më besuan mua. Sot është dita, të nderuar qytetarë, kur paraqes dorëheqjen dhe, për herë të fundit në funksionin e presidentit të Republikës, do të përpiqem të mos ju lodh me shifra, por të them disa fjalë për kapitullin e ri që e pret Serbinë dhe se çfarë është ai”, tha Vuçiç.

Gjatë fjalimit që mbajti para qytetarëve të mbledhur përpara Presidencës, Vuçiç u shpreh se i ka shërbyer me besnikëri të gjithë qytetarëve dhe Serbisë dhe se dy mandatet e tij presidenciale i ka ushtruar me nder dhe ndershmëri.

“Dua t’ju paraqes në dy fjali një raport: ju kam shërbyer me besnikëri, të gjithëve juve, atdheut tonë, Serbisë. I kam shërbyer me nder dhe ndershmëri gjatë dy mandateve të mia presidenciale. Nëse do t’i shërbej Serbisë apo jo, nuk e di, por e di se jam krenar për gjithçka që kemi bërë së bashku. Jam krenar për mënyrën se si Serbia ka ndryshuar pamjen e saj. Jam krenar për përgjegjshmërinë me të cilën sillemi. Jam krenar që nuk nxisim urrejtje ndaj atyre që na kanë djegur ambientet, që kanë rrahur njerëzit tanë, që kanë qëlluar mbi njerëzit tanë dhe që kanë nxjerrë thika ndaj tyre. Sepse ne nuk duhet të jemi si ata. Dua që së bashku me ju të luftojmë për një Serbi të denjë, moderne dhe normale”, u tha Vuçiç qytetarëve.

Ai kujtoi gjithashtu disa nga momentet e vështira që Serbia ka kaluar gjatë mandatit të tij si president.

“Kur mendova se çështja e Tribunalit të Hagës kishte përfunduar, na sollën urdhra detyrues që të arrestonim sërish njerëzit tanë. Refuzova dhe nuk dorëzova asnjë serb në Tribunalin e Hagës dhe jam krenar për këtë. Është e lehtë ta thuash sot dhe duket e lehtë edhe për t’u zbatuar. Por nuk ishte kështu. Ishte shumë e vështirë, me kërcënime të panumërta nga të gjitha anët.

Sot ne jemi i vetmi vend në Evropë që kemi qëndrimin tonë politik për krizën në Ukrainë, në Evropë. Nuk kemi hequr dorë prej tij dhe nuk jemi tërhequr as nën presionet më të mëdha dhe më të vështira. Këtë e keni bërë ju, qytetarë. Falë forcës suaj dhe mbështetjes suaj, kemi mundur ta ruajmë dhe ta mbrojmë këtë qëndrim”, theksoi Vuçiç, raportojnë mediat serbe.

Ai nuk la pa përmendur Kosovën, duke thënë se presidenti i ardhshëm duhet të mbrojë interesat kombëtare të Serbisë dhe serbët në Kosovë.

“Të gjithë do të duhet t’i rezistojnë heqjes dorë nga Kosova. Do të duhet të merremi me zhvillimin ekonomik, mbi të gjitha me inteligjencën artificiale dhe robotikën, në mënyrë që të mos mbetemi prapa”, deklaroi Vuçiç.

Pas dorëheqjes, Vuçiç ka thënë se synon të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare si qytetar i zakonshëm dhe jo më në cilësinë e presidentit. Ai pritet të kërkojë postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për më 25 tetor.

Sipas Kushtetutës së Serbisë, funksionin e presidentit tani do ta marrë kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiç. Zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen brenda tre muajve nga dita e paraqitjes së dorëheqjes.

/tvklan.al