Një atentat i mirëorganizuar dyshohet se i mori jetën mbrëmjen e së shtunës Aleksandër Koçekut në zonën e Dukagjinit në Shkodër. 40-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku teksa udhëtonte me automjetin e tij.

“Ky është vendi ku Aleksandër Koçekut iu zu pritë. Ai po lëvizte nga Kiri i Dukagjinit drejt Prekalit, për të shkuar në Shkodër, kur në afërsi të fshatit Lin u qëllua me breshëri automatiku”, raporton gazetarja Emi Kalaja.

Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Lin, në aksin Kir-Prekal, një zonë malore dhe me pak lëvizje, ku autorët dyshohet se kanë pritur momentin e përshtatshëm për të realizuar ekzekutimin. Pas të shtënave, Koçeku ka mbetur i vdekur brenda automjetit, ndërsa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Ishte një kalimtar i rastit ai që konstatoi makinën me viktimën brenda dhe njoftoi policinë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar mbi 20 gëzhoja automatiku, të cilat dyshohet se janë qëlluar nga e njëjta armë.

Dyshimet e para të hetuesve janë se 40-vjeçarit i është zënë pritë, ndërsa pista kryesore ku po përqendrohen hetimet lidhet me konfliktet e mëparshme të familjes Koçeku dhe një hakmarrje të mundshme.

Aleksandër Koçeku ishte vëllai i Artan Koçekut, i cili po vuan dënimin për vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor të vitit 2017. Pas asaj ngjarjeje, familja Koçeku ka deklaruar se ishte në gjakmarrje, ndërsa të afërmit e viktimës së fundit dyshojnë se atentati mund të jetë kryer pikërisht për këtë arsye.

Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe të kaluarën e viktimës, pasi Aleksandër Koçeku ishte person nën hetim në dosjen e vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka, e ndodhur në shkurt të vitit 2025.

Tv Klan

/tvklan.al