Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive, me votë unanime, ka miratuar këtë të premte ndryshimet në rregulloren e autorizimeve që ka si synim luftën kundër piraterisë.
Kohët e fundit shumë subjekte shisnin dekodera, duke përfshirë edhe programacione apo kanale të konsideruara të lira, për të cilat nuk kishin asnjë marrëveshje apo nuk janë të licencuar nga AMA.
Kryetarja e AMA-s shpjegon rëndësinë që ka një ndërhyrje e tillë, që i vë fre piraterisë televizive.
“Çdo përmbajtje audiovizive do të ritransmetohet nga ata të autorizuar nga AMA, patjetër me marrëveshjen përkatëse me mbajtësin e të drejtës. Kanalet e lira do vijojnë të jenë në shërbim të publikut, por jo në shërbim të paketave të ritransmetuesve kabllorë, IPTV, etj. “, tha Krasniqi.
Subjekteve që deri më tani kanë tregtuar dekodera, u bie detyrimi ligjor që t’i modulojnë ato vetëm me programacion dhe kanale për të cilat kanë një autorizim. Atyre u është lënë një afat kohor për të bërë ndryshimet e kërkuara, dhe në rast se konstatohen sërish me shkelje, do të sanksionohen, siç e parashikon ligji.
“Ne kemi lënë hapësirë le të themi tre mujore, të autorizuarit aktualë të kenë mundësi të vetë-rregullohen dhe të shkojnë në standarde të cilat janë vendosur sot nga rregullorja e re. Pas këtyre tre muajve, çdo abuzim me kanalet e lira menjëherë do të konsiderohet si produkt piraterie e do të sanksionohen me gjobë”, tha ajo.
Për ndryshimet e miratuara është kryer edhe një proces konsultimi në të gjithë vendin dhe është marrë dakordësia e shumicës së subjekteve audiovizive.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 