Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, lajmëron se do të ketë një sistem të ri për aplikimet e vizave të qytetarëve.

Përmes një postimi në platformën “X”, ambasada shkruan se nga datat 19 deri më 29 maj, aplikantët për vizë do të mund të aksesojnë vetëm për lexim në sistemin aktual. Përgjatë këtyre 10 ditëve, nuk do të mund të gjenerohen nga sistemi aktual fletëpagesat, të kryhen ndryshime në takimet apo të shtrohen kërkesa për takime të përshpejtuara.

Ata të cilët kanë një takim të vlefshëm, do të mund t’i kryejnë këto takime siç janë planifikuar më herët, edhe nëse janë mes datave 19-29 maj.

Sakaq, me sistemin e ri, qytetarët e interesuar do të mund të marrin informacion për vizë, të paguajën tarifat e aplikimit të saj, të planifikojnë dhe të caktojnë sërish takimet e intervistave, por gjithashtu dhe të marrin shërbime për dorëzimin e dokumenteve.

Postimi i plotë:

Ambasada e SHBA-së në Tiranë do të përdorë një sistem të ri terminesh për viza duke filluar nga data 30 maj 2025.

Nëpërmjet shërbimit të ri, aplikantët për vizë do të mund të marrin informacionin për vizë, të paguajnë tarifat e aplikimit për vizë, të planifikojnë dhe të riplanifikojnë takimet e intervistave për vizë, si dhe të marrin shërbime për dorëzimin e dokumenteve. Për të zbatuar këtë sistem të ri, aplikantët për viza nuk do të jenë përkohësisht në gjendje të gjenerojnë fletëpagesat ose të bëjnë ndryshime në orar nga data 19-29 maj. Ju lutemi vini re se të gjitha takimet e intervistës për viza joemigruese dhe imigruese që janë planifikuar tashmë ose do të planifikohen përpara datës 19 maj 2025, do të mbeten të vlefshme edhe pas fillimit të sistemit të ri të takimeve për viza. Aplikantët për vizë duhet të planifikojnë të marrin pjesë në takimet e tyre në datat dhe oraret e planifikuara.

/tvklan.al