Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka zhvilluar disa takime me deputetët e sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, në prag të fillimit të legjislaturës së re.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga ambasada, thuhet se qëllimi i këtyre takimeve është të kuptojë më mirë se cilat janë shqetësimet dhe prioritetet e komuniteteve që përfaqësojnë ligjvënësit e rinj.

“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit. Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Në fotot e këtyre takimeve shihen deputetë të cilët do i bashkohen për herë të parë parlamentit në shtator, si përshembull Igli Cara apo Besart Xhaferri nga PD, Ilva Gjuzi nga PS, apo Erald Kapri nga Mundësia.

Këto takime tregojnë angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-ve për të mbështetur institucionet demokratike të vendit dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërpartiak në funksion të reformave dhe forcimit të sundimit të ligjit./tvklan.al