Erdhën me shpresën se do të ketë konstituim të Kuvendit të Kosovës, por ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë dolën të zhgënjyer pasi edhe tentimi i 52-të rezultoi pa sukses.

Ata janë shprehur të shqetësuar për bllokadën, ndërsa kanë kërkuar krijimin sa më të shpejtë të institucioneve. Sipas tyre, nëse s’do të gjendet një zgjidhje deri nesër, Kosova hyn në një territor të panjohur.

“Jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar institucionet. Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një karton i kuq për ata që nuk konstituojnë Kuvendin,” tha Jörn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë

“Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e saj drejt BE-së,” tha Aivo Orav, shef i Zyrës së BE në Kosovë

Fatmir Limaj i Nismës tha se Kurti nuk i ka 61 vota për formimin e qeverisë dhe këtu është e gjithë bllokada.

Ende mbetet e paqartë çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet konstituimi i Kuvendit as të shtunën.

Tv Klan

/tvklan.al