Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën e tij diplomatike.
Wendt i dorëzoi paraditen e së shtunës letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, gjatë një takimi të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, i cili zgjati rreth një orë e 30 minuta.
Gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, në kuadër të procesit për konfirmimin e tij si ambasador, pas propozimit nga Presidenti Donald Trump, Eric Wendt renditi ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij avancimin e interesave të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Në fjalën e tij para senatorëve, Wendt theksoi veçanërisht rëndësinë e mbështetjes së institucioneve shqiptare në përpjekjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e konsideruar forcimin e shtetit ligjor si një prej çështjeve të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh.
Në fokus të misionit të tij pritet të jenë edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe mbështetja e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Eric Wendt, ish-gjeneral i ushtrisë amerikane, merr detyrën e ambasadorit pas një periudhe rreth trevjeçare gjatë së cilës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është drejtuar nga e ngarkuara me punë Nensi VanHorn, pas përfundimit të mandatit të ish-ambasadores Yuri Kim.
Me mbërritjen e ambasadorit të ri, pritet të intensifikohen edhe takimet e tij me drejtuesit e institucioneve shqiptare. Takimi i parë i Wendt me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pritet të zhvillohet të hënën.
/tvklan.al












Botërori 2026 