Donald Trump mbështetet nga amerikanët më shumë se pararendësi i tij Joe Biden në gjithë mandatin. Përqindja e mbështetjes për politikat e tij në muajin e dytë të mandatit të dytë presidencial është më e lartë madje edhe se e njëjta periudhë e mandatit të tij të parë.

Sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e anketimeve Gallup në gjysmën e parë të këtij muaji, mbështetja popullore për Trump-in është rritur në 45%. Në të njëjtën periudhë të mandatit të parë, presidenti gëzonte 3% më pak mbështetje. Niveli është rritur me 1% krahasuar me muajin e kaluar.

Mediat bëjnë të ditur se amerikanët e mbështesin shefin e Shtëpisë së Bardhë, pavarësisht nisjes kaotike të këtij mandati me çmimet që vazhdojnë të rriten, shkarkimet masive të punonjësve të qeverisë, rritjen e tarifave të importit dhe ashpërsimin e luftës tregtare që ka sjellë edhe thellimin e frikës për recesion.

Përmbushje të premtimeve ende nuk ka as në politikën ndërkombëtare, sidomos me krizën e Ukrainës ku ende nuk ka asnjë përparim konkret në rrugën drejt paqes me Rusinë.

Tv Klan

/tvklan.al