Komanda ushtarake e Iranit ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit i cili është përqendruar rreth ngushticës kritike të Hormuzit. Një zëdhënës i ushtrisë iraniane i kërkoi botës të bëhet gati për çmime rekord të naftës.
“Përgatituni që nafta të jetë 200 dollarë për fuçi, sepse çmimi i naftës varet nga siguria rajonale të cilën ju e keni destabilizuar”, tha Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i Komandës Ushtarake të Iranit.
Deklaratat vijnë pas raporteve për minimin e ngushticës së Hormuzit pavarësisht kërcënimeve të ashpra të Donald Trump për të mos e bërë një gjë të tillë.
Gjatë ditës së sotme avionët amerikanë goditën 16 anije minuese iraniane gjatë procesit të vendosjes së eksplozivëve, siç duket edhe nga këto pamje. Nga ana tjetër tre anije të transportit të mallrave u goditën nga Irani në ngushticë.
SHBA ka rritur patrullimet detare për të garantuar kalimin e lirë të anijeve që transportojnë naftë, për të ruajtur qëndrueshmërinë e furnizimit të tregjeve globale, të tensionuara së tepërmi nga ky konflikt.
Sulmet iraniane janë zgjeruar me shpejtësi drejt vendeve fqinje të Gjirit Persik. Arabia Saudite ka pritur dhe asgjësuar 7 dronë, në Kuvajt, Roja Kombëtare shkatërroi 8 dronë, ndërsa në Emiratet e Bashkuara kanë numëruar deri më tani mbi 1 000 sulme ajrore.
Teherani kërcënoi se do të zgjerojë objektivat e goditjes edhe ndaj institucioneve financiare. Bankat amerikane dhe izraelite në Lindjen e Mesme janë shpallur tashmë shënjestra legjitime.
Kina ka deklaruar se nuk pajtohet me sulmet ndaj vendeve të Gjirit dhe dënon goditjen e objekteve civile. Pekini ka kritikuar njëkohësisht SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e destabilizimit rajonal. Sa i përket udhëheqjes, djali i Presidentit Pezeshkian konfirmoi se Mojtaba Khamenei është “shëndoshë e mirë”.
Në frontin e Libanit, bombardimet izraelite janë zhvendosur në qendër të Bejrutit dhe në jug. Bilanci i viktimave në Liban ka arritur në 570. Rreth 780 mijë janë të zhvendosurit nga lufta. Ndërsa në Iran, shifra e të vdekurve ka kaluar 1,300.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 