Në zemër të Durrësit, mes gjurmëve të qytetërimit antik, Amfiteatri Romak mbetet një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët vendas dhe të huaj.

Historia mbi 20 shekullore dhe vlerat e tij arkeologjike vazhdojnë të tërheqin çdo ditë qindra vizitorë.

Interesi është rritur veçanërisht gjatë muajit korrik, kur grupet e organizuara turistike, por edhe vizitorët individualë, zgjedhin të njihen nga afër me historinë mbi 2 mijë vjeçare të Amfiteatrit.

Vetëm gjatë një dite, ky monument vizitohet nga të paktën 300 persona.

“Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Vij nga Gjermania. Durrësi është një qytet interesant, me shumë histori. Mendoj se ka shumë për të ofruar dhe ia vlen të vizitohet”, tha një turist.

“Jam nga Polonia dhe është hera e parë që vij në Shqipëri. Është një vend shumë i këndshëm, i bukur dhe magjepsës. Do të qëndrojmë këtu për 7 ditë dhe besoj se kjo kohë është e mjaftueshme për ne, pasi kemi ardhur me familjen dhe fëmijët”, tha një turiste.

“Është hera e parë që vijmë këtu dhe jemi mahnitur. Ndodhemi në Durrës prej katër ditësh dhe kemi ardhur nga Spanja”, tha një turist.

“Vij nga Kanadaja. Studioj arkeologji dhe doja patjetër të vizitoja Durrësin. Arkeologjia dhe historia e këtij qyteti janë të jashtëzakonshme dhe mendoj se është bërë një punë shumë e mirë për ruajtjen dhe prezantimin e tyre. Do të qëndroj këtu për një muaj dhe ndihem me fat. Jam mësuese në Kanada dhe kam studentë nga Shqipëria, ndaj mendova t’i kaloja pushimet këtu”, tha një turiste.

Amfiteatri i Durrësit u ndërtua në fillim të shekullit II, gjatë sundimit të Perandorit Trajan, dhe konsiderohet amfiteatri romak më i madh në Ballkan.

Gjatë sezonit mbetet një nga vendet më të vizituara, duke dëshmuar historinë dhe identitetin e qytetit përpara mijëra turistëve që e vizitojnë çdo vit.

Tv Klan

/tvklan.al