Vizitorët zgjedhin Durrësin, jo vetëm për detin por edhe për historinë dhe trashëgiminë kulturore të pasur.

Sipas të dhënave të Qendrës Muzeore Durrës, numri i vizitorëve në Amfiteatër në 5 muaj e parë të këtij viti u rrit me 49 përqind krahasuar me të njëjtin periudhë të një viti më parë.

Jona Saraçi, Specialiste e Qendrës Muzeore Durrës: Periudha janar-maj të vitit 2023 në lidhje me janar-maj të viti 2024 ka një ndryshim shumë të madh. Kemi 49% të rritjes së turistëve, pra nga 5000 mijë viti 2023 në 8000 mijë viti 2024, deri në këtë periudhë që jemi sot.

Turistët janë nga vende të ndryshme, por gjermanët dhe polakët, suedezët janë më të shumtë në numër.

“Jemi nga Suedia. Kemi 5 ditë këtu në Durrës. Më shumë na pëlqeu ecja nëpër rrugica, erdhëm për të parë Amfiteatrin dhe është shumë vend i këndshëm. Nuk ishte shumë e vështirë ta gjeje Amfietarin, e kam parë në hartë dhe është afër rrugës kryesore. Nuk kemi parë monumente tjera, sepse vetëm për amfiteatrin vendosëm që ta vizitojmë, kjo ishte gjëja kryesore që donim të shinim,” tha një turist.

“Qyteti duket shumë bukur nga ajo që kemi parë. Më shumë na bën përshtypje mikpritja këtu si dhe vlerat historike që ka qyteti. Gjithashtu edhe çmimet janë shumë mire,” shtoi një turiste.

Turisti: Vijmë për herë të parë. Vendosëm të vijmë në Durrës duke parë një libër udhëtimi dhe sapo pamë amfiteatrin dhe, vërtet që na pëlqeu.

Amfiteatri i Durrësit, ndërtuar gjatë periudhës së perandorit Trajan, përfaqëson një arkitekturë të veçantë romake. Për afro dy shekuj ka shërbyer për luftimet e gladiatorëve. Brenda tij është ndërtuar një kishë bizantine, që është e zbukuruar me afreske dhe mozaikë të ndryshëm në muret e saj.

Klan News

/tvklan.al