Rreth 24 orë para nisjes së turneut të emisarit amerikan Tom Barrack, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përgëzoi “përpjekjet e Libanit për të çarmatosur Hezbollahin” deri në fund të vitit. Ai gjithashtu sugjeroi një “reduktim” të pranisë izraelite në Jug… nëse ky çarmatim do të zbatohet.
Por, a nënkupton kjo një hap përpara nga Izraeli, i gatshëm të pranojë parimin “një hap për një hap” të propozuar nga Libani?
Jo domosdoshmërisht. Sipas komunikatës së zyrës së Netanyahu, e publikuar të hënën në X, Izraeli “pranon hapin e rëndësishëm të bërë nga qeveria libaneze” dhe e konsideron një “mundësi kyçe për Libanin, për të rikthyer sovranitetin dhe autoritetin e institucioneve shtetërore”.
“Duke marrë parasysh këtë zhvillim, Izraeli është i gatshëm të mbështesë Libanin në përpjekjet për çarmatimin e Hezbollahit dhe të punojë së bashku për një të ardhme më të sigurt për të dy vendet”, thuhet në komunikatë.
Nëse ushtria libaneze merr masat e nevojshme për çarmatimin, Izraeli do të marrë “masa reciproke, përfshirë një reduktim gradual të pranisë së ushtrisë izraelite, në koordinim me mekanizmin e sigurisë të udhëhequr nga SHBA”.
Fjala e dykuptimshme që shqetëson Bejrutin
Saktësisht kjo frazë ka ngjallur dilema në qarqet qeveritare të Libanit. Një burim i qeverisë shprehet: “Kryeministri izraelit ia ka kaluar topin Bejrutit. Në vend që të përgjigjet me një gjest mirëbesimi, ai kërkon që Libani të shkojë edhe më tej në çarmatim para se të plotësojë pjesën e tij të marrëveshjes”.
Burimi shton se Netanyahu nuk flet për tërheqje, por për reduktim të pranisë ushtarake. Bejruti është në një pozicion të vështirë, duke shpresuar se vendimi i Këshillit të Ministrave për çarmatimin e Hezbollahit do ta detyrojë Izraelin drejt një kompromisi.
Hezbollah dhe Irani: Kundërshtim i prerë
Në anën tjetër, Hezbollah duket gjithashtu i papërgatitur për të bashkëpunuar. Sekretari i Përgjithshëm Naïm Kassem, në një fjalim të hënën, filloi me një ton pozitiv, duke përshëndetur bashkëpunimin me ushtrinë që “duhet të mbrojë vendin” dhe duke e quajtur rezistencën “ndihmëse”.
Ai kërkoi nga qeveria të zhvillojë takime intensive për të “studjuar mënyrat diplomatike për rikthimin e sovranitetit” dhe i bëri thirrje partive politike të punojnë një javë nën sloganin “Kërkojmë rikthimin e sovranitetit kombëtar”.
Megjithatë, në fund të fjalimit, ai ndryshoi tonin: “Pastroni armikun nga tokat tona, ndaloni agresionin, lironi të burgosurit libanezë dhe nisni rindërtimin. Kjo është rruga që duhet ndjekur. Pastaj mund të shikoni strategjinë e mbrojtjes”. Kassem theksoi se Hezbollah nuk do të dorëzojë armët që mbrojnë nga armiku dhe pyeti qeverinë: “Cila është alternativa juaj nëse rezistenca ndalon? Të dorëzoheni tek Izraeli?”
Edhe Irani mbështet këtë qëndrim. Gjenerali brigadë Iraj Masjedi, zëvendës-koordinator i Forcës al-Qods të Gardës Revolucionare, deklaroi se “plani amerikano-sionist për çarmatimin e Hezbollahit nuk do të zbatohet kurrë”. Ai shtoi se as populli libanez, as rezistenca e Hezbollahit nuk do ta pranojnë këtë plan.
Qeveria libaneze, përkundër kritikeve iraniane, ka përsëritur se nuk do të ketë kthim pas në çarmatimin e Hezbollahit, sipas takimeve me emisarin iranian Ali Larijani më 13 gusht.
Shkrim nga L’Orient le Jour
/tvklan.al












Botërori 2026 
